Fitore Gashi, e bija e legjendës së boksit kosovar, Nazif Gashi është takuar me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, takim në të cilin bëhet e ditur se është diskutuar për jetën dhe veprën e boksierit si dhe mbështetjen e dhënë për familjen pas vdekjes së tij.
Pas takimit, Gashi tha për KosovaPress se vlerësimi institucional dhe respekti i treguar për jetën dhe kontributin e tij në sportin e boksit dhe sportin kosovar në përgjithësi, përbëjnë një nder të veçantë
Gashi: Respekti institucional përbëjnë një nder të veçantë për familjen tonë
“Dua të falenderoj Komitetin Olimpik të Kosovës, posaçërisht Ismet Krasniqin, si dhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tij, për organizimin e mbledhjes komemorative në nderim të babait tonë, Nazif Gashi. Boksier i njohur. Vlerësimi institucional dhe respekti i treguar për jetën dhe kontributin e tij në sportin e boksit dhe sportin kosovar në përgjithësi, përbëjnë një nder të veçantë për familjen tonë. Dhe një dëshmi e trashëgimisë që ai e ka lënë pas. Ju jemi sinqerisht mirënjohës për nderimin dhe përkushtimin tuaj në këto momente të vështira për ne”, theksoi Gashi.
Ajo shtoj se ndihet krenare me kontributin e dhënë në sport nga babai i saj dhe se ende e ka të vështirë të besojë që ai nuk është duke jetuar më.
Gashi: Vazhdoj të besoj që babi është ende me ne
“Krenaria është shumë e madhe, e papërshkrueshme. Aq e madhe është saqë prapë vazhdoj të besoj që babi është me neve”, shtoi ajo.
Nazif Gashi, një nga emrat më të mëdhenj në historinë e sportit të Kosovës, ka vdekur më 10 dhjetor 2025. Ai ishte pjesë e “gjeneratës së artë” të boksit të Prishtinës dhe në vitet ’70 e ’80 dominonte skenën sportive në ish-Jugosllavi, duke bërë krenar sportin kosovar me paraqitjet e tij.