Boksieri shqiptar, Krenar Aliu, po vazhdon të shkëlqejë në ringun finlandez, duke tërhequr vëmendje me paraqitjet e tij mbresëlënëse dhe rezultatet që kanë bërë jehonë në sportin e boksit në Finlandë.
Pas triumfit të madh në muajin prill, Aliu tashmë e ka fokusin te sfida e radhës, që e pret në shtator, një duel i rëndësishëm ku do të kërkojë të vazhdojë dominimin e tij në skenën profesioniste.
Me një karrierë të pasur dhe statistikë për t’u admiruar, Aliu numëron gjithsej 104 meçe, prej të cilave ka regjistruar 75 fitore, 28 humbje dhe një barazim.

Për vite me radhë ka qenë emër i njohur në boksin amator, duke fituar titullin kampion i Finlandës nga viti 2012 deri më 2019.
Sukseset e tij nuk ndalen vetëm në arenën kombëtare. Ai është kurorëzuar kampion skandinav në vitet 2016, 2017 dhe 2019, ndërsa në Kampionatin Evropian të vitit 2016 arriti të fitojë medaljen e bronztë, duke zënë vendin e tretë.
Kalimi në boksin profesionist në vitin 2023 rezultoi një hap i suksesshëm për Aliun. Deri më tani, ai ka zhvilluar 10 meçe profesionale, duke regjistruar nëntë fitore dhe vetëm një humbje.
Një nga momentet kulmore të karrierës së tij erdhi në prill, kur u shpall kampion i Finlandës në boksin profesionist, pas triumfit ndaj boksierit finlandez Samuli Kärkkäinen në një mbrëmje të organizuar nga Elite Boxing në Sallën e Sporteve të Helsinkit.
“Ishte një fitore që më ngriti ndjeshëm në renditje”, kishte deklaruar Aliu pas suksesit të madh.
Sfida e ardhshme e pret në shtator në Kirkkonummi, ku do të ngjitet sërish në ring për të mbrojtur titullin e kampionit të Finlandës, në një duel që pritet të jetë një test i madh për vazhdimësinë e tij në majat e boksit profesionist.