Në Tiranë u mbajt për herë të parë Asambleja e Unionit Europian të Boksit.
Zyrtarë të boksit profesionist në Shqipëri e konsiderojnë si ngjarjen më të rëndësishme të dekadave të fundit për këtë disiplinë.
Unioni Europian i Boksit zhvilloi asamblenë e 78-të në Tiranë. Federatat anëtare të boksit profesionist në kontinent zgjodhën kryeqytetin shqiptar për mbledhjen e përvitshme, pak kohë pasi Shqipëria u pranua në EBU me të drejta të plota.
Për Sekretarin e Përgjithshëm të Unionit të Boksit Shqiptar, Jani Nano, kjo është ngjarja më e rëndësishme e dekadave të fundit për këtë disiplinë në vendin tonë.
“Është ngjarja më e rëndësishme e boksit që nga rilindja e tij, për më tepër boksit profesionist.
Pra, kur flasim për rëndësinë e kësaj asambleje edhe në raport me boksierët, është që duhet institucioni që të gjithë ata boksierë të shkojnë më lart”.
Nano thotë se gjatë viteve të fundit në Shqipëri është shtuar aktiviteti i boksit profesionist.
“Ne kemi talente, kemi edhe arritje. Për shembull, Jurgen Uldedaj që përmendët është produkt shqiptar, pra pjesën kryesore të stërvitjes e ka bërë në Shqipëri dhe pastaj është specializuar në Gjermani.
Brenda 8 viteve në Shqipëri janë zhvilluar mbi 400 ndeshje dhe mbi 40 tituj ndërkombëtar”.
Në Asamblenë e Unionit Europian të Boksit u zgjodh edhe kryesia e kësaj federate.