Në kuadër të manifestimit tradicional "Tetova n'Festë", të dielën, më 2 gusht 2026, në Sheshin "Iliria" në Tetovë do të zhvillohet një turne ndërkombëtar i boksit, ku do të marrin pjesë boksierë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bullgaria dhe Mali i Zi.
Organizator teknik i këtij eventi është Klubi i Boksit Shkëndija, i drejtuar nga Jusuf Hashimi, në bashkëpunim me Federatën e Boksit të Maqedonisë së Veriut.
Qëllimi i këtij manifestimi është promovimi i boksit dhe pasurimi i programit të Verës Kulturore Tetovare, duke sjellë një mbrëmje sportive me energji, emocione dhe rivalitet sportiv.
Programi do të nisë në ora 18:00 dhe përfshin:
12 duele zyrtare boksi në kategoritë:
Kadet U-15
Junior U-17
Youth U-19
Senior
4 duele revyale të kik-boksit, të cilat do të zhvillohen pas përfundimit të ndeshjeve të boksit.
Turneu do të zhvillohet sipas rregullave të Federatës së Boksit dhe do të mbikëqyret nga delegatë dhe gjyqtarë zyrtarë, duke i dhënë garës status të njohur ndërkombëtarisht.