Demolli: Sukseset po vijnë, por boksi kosovar përballet me mungesë mbështetjeje

Boksi

Demolli: Sukseset po vijnë, por boksi kosovar përballet me mungesë mbështetjeje

Më: 5 tetor 2026 Në ora: 19:39
Latif Demolli

Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, ka folur për vështirësitë financiare me të cilat përballet federata, duke theksuar se mungesa e sponsorëve e vështirëson organizimin e përgatitjeve speciale dhe kampeve për boksierët kosovarë.

I ftuar në SportCast të KosovaPressit, Demolli ka thënë se aktualisht Federata e Boksit financohet kryesisht nga Ministria e Sportit, ndërsa vonesat në ndarjen e mjeteve krijojnë vështirësi në planifikimin dhe realizimin e aktiviteteve ndërkombëtare.

“Ne nuk kemi një sponsor, i cili do të na ndihmonte, për shembull, sidomos për përgatitjet speciale, kampet. Përgatitjet tani i kemi për fuqi që shkojnë, varet në lartësi mbidetare. Nuk e kemi, se ne të gjitha mjetet financiare i kemi nga Ministria e Sportit. Edhe pse e kemi një memorandum këtë vit goxha të mirë, mundësisht prej 246 mijë euro, më duket, aty. Ne kemi marrë memorandumin e dytë, e pjesën e dytë të tij, i cili u vonua, për tre muaj, katër, ne nuk mundemi për shkak të garave, akomodimeve, fjetjes e atëherë edhe biletat e avionit, për shembull në Brazil kanë kushtuar afër 3 mijë euro bileta, ku ishim në garën kualifikuese. Dhe nuk kemi mjete që na nevojiten për të bërë një plan strategjik, të fuqishëm, për boksierët të cilët janë kualitativë, të marrin, të jenë të gatshëm për garat e mëdha. Por ne prapë po ia dalim në fund, edhe me huazime nga shoqëria, dhe pasi po na dalin mjetet nga Ministria e Sportit, atëherë po i kthejmë ato mjete dhe nuk po i lëmë boksierët që të mos marrin pjesë në garat ndërkombëtare, në Kampionate Evropiane, për arsye se boksierët të gjithë ushtrojnë dhe është ëndrra e tyre të marrin pjesë në këto gara. Ne kemi, si federatë, obligim t'i dërgojmë këta boksierë për pjesëmarrje në këto gara dhe të shohin veten ku janë me kualitet dhe sa kanë arritur të zhvillojnë boksin”, theksoi Demolli në SportCast.

Ndërsa ai ka shtuar se, pavarësisht vështirësive me të cilat përballet federata, rezultatet e arritura gjatë këtij viti në arenën ndërkombëtare janë dëshmi e punës së bërë dhe një sukses i rëndësishëm për boksin kosovar.

“Mund të themi se, sipas kushteve që ekzistojnë në boks, jemi shumë mirë, për arsye se ne, këtë vit, sidomos këtë vit, kemi rezultate, sepse një medalje mesdhetare e artë i përket Federatës së Boksit, nga Donjeta Sadiku. Kjo është rezultat i Federatës së Boksit. Por menjëherë pas dy javësh vjen edhe medalja e dytë, e bronztë, e Donjeta Sadikut dhe medalja e dytë edhe për Federatën e Boksit, medalje evropiane. Dhe vendi i pestë i boksierit Shpejtim Bajoku, që është një rezultat i mirë për Federatën e Boksit. Mund të them që këtë vit Federata e Boksit ka arritur sukses ndërkombëtar me dy medalje të mëdha ndërkombëtare. Për një federatë, mund të them, është një rezultat i mjaftueshëm për një vit”, theksoi Demolli.

Federata e Boksit të Kosovës po kalon një periudhë të rëndësishme sa i përket rezultateve ndërkombëtare, me Donjeta Sadikun dhe Shpejtim Bajokun që kanë sjellë rezultate të rëndësishme gjatë këtij viti.

Megjithatë, krahas suksesit në ring, mbetet sfidë sigurimi i kushteve më të mira për përgatitje dhe pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.

Pikërisht për këtë arsye, mbështetja institucionale dhe përfshirja e sponsorëve mbeten të rëndësishme për të krijuar një plan më afatgjatë dhe për t’u mundësuar boksierëve kosovarë të synojnë edhe më shumë suksese në arenën ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat