Biletat për sfidën Fury - Joshua shiten në pak orë

Boksi

Biletat për sfidën Fury - Joshua shiten në pak orë

Më: 13 tetor 2026 Në ora: 11:09
Fury - Joshua

Dueli mes Tyson Fury dhe Anthony Joshua do të gjenerojë të ardhurat më të mëdha nga shitja e biletave në historinë e boksit britanik.

Biletat për përballjen e 11 dhjetorit mes dy ish-kampionëve të botës në stadiumin “Principality” në Cardiff dolën në shitje të premten, ku vendet e rregullta më të shtrenjta kushtonin 13,128 £.

Stadiumi “Principality” ka një kapacitet prej më shumë se 70,000 spektatorësh dhe presidenti i UFC-së, Dana White, zbuloi se Brenda pak orësh thuajse janë shitur të gjitha biletat e hedhura në treg: “Mendoj se kanë mbetur më pak se 700 bileta. Mund ta konsideroni këtë ngjarje si të shitur plotësisht.”

Më shumë se gjysmë milioni njerëz u rreshtuan në radhën virtuale të ‘Ticketmaster’ për të siguruar bileta për duelin e shumëpritur të peshave të rënda, ndërsa mijëra prej tyre u shitën brenda një ore nga fillimi i shitjes.

“Kishte mbi 500,000 njerëz në radhë. E pabesueshme. Por bëhet fjalë për dy nga boksierët më të mëdhenj dhe më të famshëm të peshave të rënda të brezit tonë. Dhe nuk ka dyshim se ky është dueli më i madh i zhvilluar ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar mes dy boksierëve britanikë të peshave të rënda“, tha White.

Para se të fillonte shitja, Ticketmaster konfirmoi se çmimet e vendeve të rregullta do të varionin nga 88.50 £ deri në 13,128 £. Këto shifra nuk përfshinin paketat VIP, paketat e hotelit dhe udhëtimit, apo çmimet për grupe dhe tarifat e reduktuara. White parashikon se dueli do të sjellë të ardhurat më të larta nga shitja e biletave në historinë e boksit britanik.

“Padyshim. Ashtu do të jetë. Nuk dua të gaboj në shifra, por e kemi planifikuar këtë ngjarje për të gjeneruar rreth 34 milionë dollar. Mbretëria e Bashkuar është vendi i duhur për zhvillimin e këtij dueli, por ai do të kishte pasur sukses kudo“, shtoi më tej presidenti i UFC-së, në stafin organziator të kësaj sfide.

Biletat më të shtrenjta tejkalojnë çmimet nominale të disa prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë, përfshirë finalen e Kupës së Botës në futboll. Në vitin 2015, biletat për duelin mes Floyd Mayëeather dhe Manny Pacquiao u shitën të gjitha brenda një minute, ndërsa vendet më të shtrenjta kushtonin 4,982 £ për tifozët.

Vendet më të lira në fushë për duelin Fury-Joshua kushtonin 345 £, ndërsa të tjerat varionin nga 700 £ deri në 900 £. Disa nga biletat me çmimet më të ulëta, në tribunën e sipërme të stadiumit, shiteshin për 205.20 £. Vendet pranë ringut shiteshin gjithashtu në platformën “StubHub” për më shumë se 8,000 £.

Dana White, i njohur si krijuesi i UFC-së, tha për rolin e tij në këtë event: “I ndihmova me shitjen e biletave dhe me organizimin e përgjithshëm. Ne do të bëjmë gjithë prodhimin, do të realizojmë spektaklin dhe do të bëjmë atë që bëj çdo të shtunë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat