Pothuajse dy vjet pas anulimit të përballjes së tyre në Arabinë Saudite, Daniel Dubois dhe Joseph Parker më në fund do të matin forcat në fillim të vitit të ardhshëm.
Britaniku Dubois do të mbrojë titullin e kampionit të botës në peshat e rënda, versioni WBO, ndaj boksierit nga Zelanda e Re, Parker, më 30 janar 2027, në arenën “Co-op Live në Manchester”. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga kompania promovuese “Queensberry Promotions”.
Dubois ishte paraparë të mbronte titullin IBF ndaj Parkerit në shkurt të vitit 2025, por u detyrua të tërhiqej vetëm 48 orë para përballjes për shkak të problemeve shëndetësore. Në vend të tij u paraqit Martin Bakole.
Dubois (24 fitore, 3 humbje, 23 me nokaut) është dy herë kampion i botës në peshat e rënda. Ai u shpall kampion i IBF-së në qershor të vitit 2024 dhe fitoi famë të madhe në Britani pasi nokautoi Anthony Joshuan në shtator të po atij viti.
Përballja e tij e dytë në stadiumin Wembley dhe dueli i dytë me Oleksandr Usykun, në korrik të vitit 2025, nuk përfunduan me sukses për britanikun, pasi ai u nokautua sërish nga ukrainasi.
Në maj të vitit 2026, Dubois u bë për herë të dytë kampion bote, pasi mposhti Fabio Wardley-n me nokaut në raundin e 11-të, në një përballje që u konsiderua ndër kandidatët kryesorë për çmimin e ndeshjes së vitit.
Dy boksierët u përballën sërish në tetor, por këtë herë dueli ishte dukshëm më pak konkurrues. Dubois dominoi dhe e mposhti Wardley-n me nokaut teknik në vetëm dy raunde.
Joseph Parker (36 fitore, 4 humbje, 24 me nokaut) është ish-kampion i botës në peshat e rënda. Ai e mbajti titullin WBO nga viti 2016 deri në mars të vitit 2018, kur e humbi ndaj Anthony Joshuas në një duel për unifikimin e titujve.
Boksieri nga Zelanda e Re regjistroi gjashtë fitore radhazi gjatë periudhës 2023–2025, përfshirë triumfet ndaj Deontay Wilder, Zhilei Zhang dhe Martin Bakole. Këto rezultate pritej t'i siguronin një tjetër mundësi për titullin botëror, por seria e tij pozitive u ndërpre nga humbja ndaj Fabio Wardley-t në tetor të vitit 2025.
Situata u përkeqësua edhe më shumë për Parkerin. Përveç humbjes, karriera e tij u vu në pikëpyetje pas një testi antidoping që rezultoi pozitiv për një metabolit të kokainës, të quajtur benzoylecgonine.
Parker mohoi se kishte konsumuar me vetëdije substancën. Pas hetimeve, Agjencia Antidoping e Mbretërisë së Bashkuar (UKAD) vendosi një pezullim tre-mujor, me efekt prapaveprues, duke e konsideruar rastin si konsumim jashtë periudhës së garës dhe pa lidhje me performancën sportive.
Në gusht të vitit 2026, pezullimi i tij u hoq dhe Parker u lejua të rikthehej në ring.
Kështu, pavarësisht humbjes dhe çështjes së testit antidoping, Parker do të ketë mundësinë të luftojë sërish për titullin e kampionit të botës në ndeshjen e tij të ardhshme.