Ndryshimet klimatike dëmtojnë zonat e mbrojtura nga UNESCO

Bota

Ndryshimet klimatike dëmtojnë zonat e mbrojtura nga UNESCO

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 20:08
Foto ilustrim

Një organizatë e njohur për mbrojtjen e pasurive natyrore paralajmëron se ndryshimet klimatike po dëmtojnë zonat e mbrojtua të UNESCO-s. Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës thotë në një raport të fundit se 16 zona kanë pësuar dëme gjatë tre vjetëve të fundit, përfshirë Brezin e Madh Koralor të Austalisë.

Ndryshimet klimatike po transformojnë globin me ritme gjithnjë e më të intensive, që nga tkurrja e akullnajave, shkatërrimi i masiveve pyjore nga zjarri dhe zhdukja e florës e faunës nga përmbytjet apo thatësira. Këto ndryshime po kërcënojnë edhe Objekte të Trashëgimisë Botërore të mbrojtura nga UNESCO.

"Disa nga këto zona kaluan në gjendje kritike që nga 2017-ta. Brezi Koralor i Australisë dhe ishujt si dhe zonat e mbrojtura të Gjirit të Kalifornisë po shkojnë në drejtim shqetësues,” thotë Peter Shadie, drejtor i Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës.

Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, i përbërë nga përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile ofron këshillta për UNESCO-n mbi kërcënimet ndaj zonave të mbrojtura. Sipas drejtorit të kësaj agjencie, 16 zona të mbrojtura kanë regjistruar keqësim, ndërsa vetëm tetë janë përmirësuar, krahasuar me tre vjet më parë:

"Tani e kuptojmë më mirë se sa të kërcënuara janë këto sisteme dhe po shtohen provat se ndryshimet klimatike janë kërcënimi më i përhapur dhe aktualisht i kanoset 1/3 të objekteve të mbrojtura natyrore,” thotë zoti Shadie.

Brezi i Madh Koralor, ku ngrohja e oqeaneve dhe shtimi i nivelit të mbetjeve acide në ujë kanë dëmtuar koralet dhe kanë dërrmuar speciet e jetës nënujore, është një ndër katër zona në Australi që ndodhen në nivel të lartë rreziku.

Sipas raportit të fundit, 7% e zonave të mbrojtura të globit janë në gjendje kritike si rezultat i ndryshimeve klimatike. Një ndër to është Rezervati i Biosferës për Fluturat Monarke në Meksikë.

Ekspertët paralajmërojnë se kërcënimet ndaj këtyre mrekullive natyrore nuk duhen marrë lehtë, pasi dëmet mund të jenë shumë shpejt të pariparueshme:

“Disa zona, kur i humbasim, nuk mund t’i rikrijojmë më pas. Pra këto janë pasuri të pazëvendësueshme të planetit dhe janë me rëndësi kritike për identitetin tonë. Kjo situatë është e trishtë, por njëkohësisht edhe alarmante. Do të ishte e paimagjinueshme të mos kishim vende si Kilimanxharo, Serengeti, Brezin e Madh Koralor. Edhe nëse nuk na bie rasti t’i vizitojmë ndonjëherë, ekzistenca e tyre është shumë e rëndësishme për identitetin tonë si banorë të këtij planeti. Ato janë disa nga ekosistemet më të mëdha, më të paprekura dhe më të integruara natyrore të planetit,” thotë zoti Shadie.

Ndryshe nga raportet e viteve të mëparshme kur një vend të rëndësishëm zinin speciet e huaja që kërcënonin ekosistemet e mbrojtura, këtë radhë kërcënimi nga ndryshimet klimatike ka dalë në qendër të vëmendjes si rreziku më i madh ndaj pasurive natyrore. Aktiviteti i njeriut, duke përfshirë turizmin, gjuetinë, peshkimin si dhe kullotjen e bagëtisë, renditet si faktor që e keqëson më tej situatën shqetësuese./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat