Rouhani: Irani nuk është i emocionuar për fitoren e Biden, por i lumtur për largimin e Trump

Bota

Rouhani: Irani nuk është i emocionuar për fitoren e Biden, por i lumtur për largimin e Trump

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 18:33
Rouhani

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha sot se vendi nuk është i emocionuar për zgjedhjen e Joe Biden si president i ardhshëm i SHBA, por është i lumtur me largimin e Donald Trump, si lideri “më rrugaç” dhe “ligj-shkelës” i Amerikës.

 “Ne nuk jemi fare të emocionuar për ardhjen në pushtet të [Joe] Biden por jemi të lumtur me largimin e Trump si një president terrorist dhe një person që arriti deri aty sa i bllokoi Iranit marrjen e vaksinës së COVID-19. Jemi të lumtur sepse nuk ndoqi parimet morale e njerëzore bazë”, tha Rouhani në një takim të kabinetit në Teheran.

Ai theksoi se situata aktuale është tërësisht e ndryshme nga viti 2015, kur negocjatat e gjata kulminuan me marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore.

“Në 2015, kur ne po negocjonim marrëveshjen bërthamore me Perëndimin, kishim kërcënimin e gjashtë rezolutave mbi kokë, ndërsa sot nuk kemi asnjë kërcënim (dimensionin e mundshëm ushtarak të çështjes bërthamore),” tha Rouhani.

Marrëveshja bërthamore u nënshkrua mes Republikës Islamike dhe grupit P5+1 të vendeve SHBA, Rusi, Francë, Britani, Kina, plus Gjermania, dhe u ratifikua në rezolutën e OKB, 2231.

Presidenti Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja në maj 2018 për të rivendosur sanksionet e hequra nga marrëveshja.

Rouhani tha më tej: “Në 2015 opinioni botëror ishte anësuar padrejtësisht të besonte se Irani nuk do të përmbushte detyrimet. Por ne provuam se jemi kombi më i përkushtuar në botë. Ne negocjojmë ashpër por nëse nënshkruajmë marrëveshjen, respektojmë premtimin. Kjo në një kohë kur vendet e P4 + 1 nuk i zbatuan detyrimet e tyre.” (IRNA)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat