Administrata Biden kritikon sanksionet e Kinës ndaj ish-zyrtarëve të Trumpit

Bota

Administrata Biden kritikon sanksionet e Kinës ndaj ish-zyrtarëve të Trumpit

Më: 21 janar 2021 Në ora: 20:51
Hua Chunying

Administrata e Presidentit Biden kritikoi vendimin e Kinës për të vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të administratës Trump të mërkurën vetëm disa minuta pasi Joe Biden-i u betua si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Ish Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte ndër 28 personat që Ministria e Jashtme e Kinës tha se "planifikuan, promovuan dhe ekzekutuan një seri lëvizjesh të çmendura, të cilat kanë ndërhyrë rëndë në punët e brendshme të Kinës, kanë minuar interesat e Kinës, kanë ofenduar popullin kinez dhe dëmtuan seriozisht marrëdhëniet Kinë - SHBA”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying e quajti zotin Pompeo një "klloun" gjatë një konference me gazetarët të enjten në Pekin.

Kina vendosi gjithashtu sanksione ndaj këshilltarit për çështje tregtare të ish-Presidentit Donald Trump, Peter Navarro, ish-Këshilltarit të Sigurimit Kombëtar Robert O’Brien dhe paraardhësit të tij, John Bolton.

Ministria tha se individët e sanksionuar dhe anëtarët e familjeve së tyre "janë të ndaluar të hyjnë në territorin e Kinës, Hong Kongut dhe Makaos". Ajo gjithashtu tha se ata dhe entitetet e lidhura me ta janë të ndaluar të kryejnë biznes me Kinën.

Në një deklaratë të lëshuar për agjensinë Reuters, Emily Horne, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Biden, i kritikoi sanksionet si një "veprim joproduktiv dhe cinik". Zonja Horne tha se Presidenti Biden "pret që të punojë me udhëheqësit e të dyja palëve në Kongres për ta pozicionuar Amerikën më mirë për të konkurruar me Kinën."

Marrëdhëniet kinezo-amerikane u përkeqësuan ndjeshëm pasi ish-Presidenti Trump miratoi tarifa kundër produkteve kineze që shiteshin në SHBA menjëherë pas marrjes së detyrës në Shtëpinë e Bardhë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat