SHBA dhe BE, sanksione ndaj udhëheqësve të grushtit të shtetit në Mianmar

Bota

SHBA dhe BE, sanksione ndaj udhëheqësve të grushtit të shtetit në Mianmar

Më: 22 mars 2021 Në ora: 23:25
Mianmar

Të hënën Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione ndaj zyrtarëve të lartë në Mianmar që kanë lidhje me grushtin ushtarak të shtetit që ndodhi muajin e kaluar. Këto masa vijnë ndërsa në vend vazhdojnë protestat, megjithë shtypjen e dhunshme dhe gjithnjë e më vdekjeprurëse të regjimit.

Bashkimi Evropian mori vendim të ngrijë pasuritë e të ndalojë lëshimin e vizave për Komandantin e Përgjithshëm të Ushtrisë Min Aung Hlaing, nëntë oficerë të tjerë të lartë ushtarakë si dhe kreun e Komisionit Zgjedhor të vendit.

Në një deklaratë të BE-së thuhej se sanksionet janë pjesë e "përgjigjes së fuqishme të bllokut ndaj përmbysjes së paligjshme të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike dhe shtypjes brutale nga junta të protestuesve paqësorë".

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi të hënën sanksione ndaj shefit të policisë së Mianmarit dhe një komandanti të operacioneve speciale të ushtrisë, duke i akuzuar si përgjegjës për përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj demonstruesve. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione edhe ndaj udhëheqësve të lartë të grushtit të shtetit në Mianmar.

Ende nuk ka njoftime për një përgjigje nga ana e juntës ushtarake ndaj veprimeve ndëshkuese në rritje të ndërmarra nga bashkësia ndërkombëtare.

"Dhuna vdekjeprurëse e forcave të sigurisë së Mianmarit ndaj protestuesve paqësorë duhet të marrë fund", tha Andrea Gacki, drejtore e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit.

Sanksionet vijnë ndërsa qindra demonstrues marshuan para agimit të së hënës në disa qytete të Mianmarit, mes tyre mjekë, infermierë, studentë të veshur me të bardha, duke përsëritur një demonstrim të ngjashëm të kryer një ditë më parë.

Mianmari është përfshirë prej 1 shkurtit nga trazirat, kohë kur ushtria burgosi udhëheqësen de facto të vendit Aung San Suu Kyi si dhe anëtarë të tjerë të qeverisë. Të paktën tre persona u vranë të dielën gjatë përleshjeve të dhunshme mes policisë dhe civilëve.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha të hënën se të paktën 224 civilë janë vrarë nga forcat e sigurisë, disa prej të cilëve ndërsa ndodheshin në paraburgim. Kombet e Bashkuara bënë të ditur se shifra reale mund të jetë më shumë se 250 persona. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat