SHBA-ja të udhëheqë kauzën për demokraci, thonë tri organizata amerikane

Bota

SHBA-ja të udhëheqë kauzën për demokraci, thonë tri organizata amerikane

Më: 14 prill 2021 Në ora: 12:43
Një protestuese pro-demokracisë përshëndet me tre gishta, një simbol i protestuesve, ndërsa ajo është ndaluar nga oficerët e policisë

Stabiliteti botëror, ekonomia amerikane dhe dinjiteti njerëzor janë nën kërcënim nga rritja e autoritarizmit e shoqëruar me gërryerjen e demokracisë.

Kështu thuhet në një raport të Grupit Punues për Strategjinë e SHBA-së, për të Mbështetur Demokracinë dhe Kundër Autoritarizmit.

Grupi është një nismë e përbashkët e organizatave Freedom House, Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) dhe Institutit McCain.

“Në 15 vjetët e fundit shkeljet e të drejtave të njeriut dhe sulmet mbi institucionet dhe praktikat thelbësore demokratike janë përshpejtuar në të gjithë globin”, thuhet në raport.

Kjo, sipas këtij grupi, kërkon një përgjigje urgjente dhe të guximshme, për të vënë përballjen me autoritarizmin dhe mbështetjen për demokracisë, duke e vënë këtë çështje në qendër të politikës së jashtme dhe strategjisë së sigurisë kombëtare të SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara duhet të përshtaten me këto realitete. SHBA-ja dhe aleatët e saj demokratikë nuk e kanë adresuar sfidën e përkeqësimit të demokracisë dhe ringjalljes së autoritarizmit në botë”, thotë raporti duke shtuar se shembulli më i rëndësishëm në këtë aspekt është Kina, e cila paraqitet gjithnjë e më shtypëse dhe agresive.

Në rekomandimet që i bëhen institucioneve amerikane, ky grup thotë se “e ardhmja e sigurisë kombëtare e SHBA-së dhe e ardhmja e demokracisë janë të ndërthurura aq thelbësisht saqë ne rekomandojmë që ngritja e demokracisë të bëhet pjesë kyçe e politikës së jashtme të SHBA-së, së bashku me diplomacinë, zhvillimin dhe mbrojtjen”.

Raporti e radhit dezinformimin si një ndër problemet kyçe në botë.

“Aktorët shtetërorë siç janë Rusia dhe Kina e kanë përdorur dezinformimin në nivel botëror për vite me radhë, si pjesë të një strategjie më të gjerë të ndikimit malinj për të mbjellë kaos, për të thelluara ndarjet e brendshme, për të diskredituar kritikët dhe për të ulur besimin në procesin demokratik. Disa qeveri i kanë bërë këto fushata të fshehta përmes aktiviteteve të hapura mediatike”, thuhet në raport.

Si veprojnë Kina dhe Rusia?

Raporti thekson se Qeveria ruse përdor dy mediat tradicionale shtetërore shumëgjuhëshe, si janë RT dhe Sputnik, si dhe rrjetet sociale për të shfrytëzuar ndasitë në rajone, veçanërisht në Ballkan, por edhe më gjerë në Evropë si dhe në Afrikë, Amerikën Latine dhe rajonin Azi-Paqësor.

Qeveria e Kinës e zhvillon propagandën dhe dezinformimin e saj në mediat zyrtare, të tilla si Rrjeti Global i Televizionit të Kinës ose CGTN, ndërsa agjendën e saj e shtyn përpara edhe përmes aseteve ekonomike, kërcënimeve diplomatike dhe kontrollit të kompanive private kineze që kanë në pronësi mediat sociale dhe platformat e dërgimit të mesazheve.

“Në shumë vende, propaganda e sponsorizuar nga shteti dhe madje dezinformimi kanë për qëllim që të përfitojnë në mënyrë të rrejshme mbështetjen e audiencës së brendshme për qeverinë, të diskreditojnë kundërshtarët politikë dhe të kontrollojnë informacionin. Gratë në veçanti kanë qenë viktima të abuzimit dhe dezinformimit në platformat e mediave sociale”, thuhet në raport.

Aty vihet në pah fakti se zakonisht dezinformimi dhe propaganda gjejnë vend në mjedise të pazhvilluara në aspektin mediatik.

“Individët nuk janë në gjendje të kontrollojnë faktet e informacionit ose të kërkojnë pikëpamje alternative për shkak të censurës ose kapjes nga shteti të sektorit të medias”, thuhet në raport.

Nuk është vetëm dezinformimi i sponsorizuar nga shteti shqetësim i vetëm, theksojnë Freedom House, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) dhe Institutit McCain.

Sipas raportit edhe figurat politike dhe aktorë të tjerë joshtetërorë kanë përdorur mediat sociale dhe mediat partiake për të publikuar gënjeshtra në mënyrë që të shtyjnë përpara agjendat e tyre. Këto aktivitete bëhen përgjithësisht për ngjarjet e mëdha siç janë zgjedhjet dhe protestat.

“Pandemia e COVID-19 ka rritur presionin ndaj informacionit. Kjo ka krijuar një ‘infodemi’ të pretendimeve mashtruese dhe të rreme në lidhje me origjinën e pandemisë, shpërndarjen e vaksinave dhe aftësinë e qeverive për të ndihmuar qytetarët e tyre”, thekson raporti.

Në rekomandimin që bën ky grup punues për Qeverinë amerikane thuhet se, ajo si hap të parë, duhet të zhvillojë një strategji për të ngritur dhe koordinuar më mirë përpjekjet për të luftuar dezinformimin, urrejtjen dhe ngacmimin në internet.

“Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet të rritin koordinimin e tyre me qeveritë partnere, kompanitë e teknologjisë dhe shoqërinë civile globale për të identifikuar, zbuluar dhe çmontuar fushatat e dezinformimit si dhe urrejtjen dhe ngacmimet në internet”, thuhet në rekomandim, në të cilin i bëhet thirrje Qeverisë amerikane që në partneritet me qeveritë e vendeve tjera, të ketë investime më të mëdha në programe për të ndërtuar qëndrueshmërinë e qytetarëve lokalë kundër dezinformimit.

“Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen me partnerët e tyre për të krijuar një Task Forcë të re Globale mbi Integritetin dhe Qëndrueshmërinë e Informacionit”, rekomandojnë këto organizata.

Demokracia në botë – në pikë krize

Zhvendosja nga proceset demokratike në botë, sipas raportit, ka arritur në pikë kritike. Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar ka pasur një zhvillim të proceseve demokratike, por tash në çdo rajon të botë, sipas raportit, ekziston përkeqësim i situatës.

“Kërcënimet e brendshme duke përfshirë ekstremizmin, populizmin, polarizimin dhe korrupsionin në disa vende, po shkatërrojnë parimet e shoqërive të lira dhe të hapura. Dështimi për të ofruar rritje ekonomike dhe shërbime të barabarta nga ana e disa qeverive demokratike po minojnë besimin në vetë idenë e demokracisë”, thuhet në raport.

Në shumë vende, sulmet ndaj zgjedhjeve dhe mediave po forcojnë diktatorët e mundshëm.

“Derisa sistemi demokratik po bie, liderët autoritarë po premtojnë rend, siguri dhe përparim, ndërsa në të vërtetë ata sjellin nënshtrim, persekutim dhe korrupsion”, vlerësojnë ekspertët amerikanë.

Në shtjellimin e këtij vlerësimi, përmenden veprimet e Kinës, e cila "po e përdor detyrimin ekonomik, ushtarak dhe diplomatik për të minuar qeverisjen demokratike dhe për të avancuar ndikimin e saj në Azi dhe më gjerë".

Pastaj, Rusia nën udhëheqjen e presidentit, Vladimir Putin, duke e parë rrezikun e përhapjes së demokracisë, po nxit ndarjen dhe pasigurinë në vendet demokratike, në veçanti te vendet fqinje të saj.

“Në të dyja rastet, ata kërkojnë të avancojnë interesat e tyre duke minuar rendin ndërkombëtar liberal të bazuar në rregulla që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë mbikëqyrur për tre të katërtat e një shekulli”, thuhet në raport.

“Një grup i vendeve partnere të SHBA-së, përfshirë Indinë, Turqinë, Hungarinë, Poloninë, Brazilin dhe Filipinet janë më të ndjeshme për t’u bërë regjime thelbësisht jodemokratike”, vlerësohet nga Grupi Punes i organizatave Freedom House, Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) dhe Institutit McCain.

Këto organizata i rekomandojnë Qeverisë amerikane që për t’iu përgjigjur kësaj situate të forcojë aleancat e saj.

“Ne (SHBA) duhet të rifillojmë me rolin tonë kryesor të udhëheqjes në kauzën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke zhvilluar një 'diplomaci të demokracisë' për të ndërtuar dhe menaxhuar aleancat të cilat e kanë si qëllim kryesor këtë kauzë”, thuhet në rekomandim.

Si përparësi, i rekomandohet Qeverisë amerikane që të angazhohet me aleatët e NATO-s, për shkak të gërryerjes së demokracisë në Turqi, Hungari dhe Poloni.

Presidenti amerikan, Joe Biden, sipas këtyre rekomandimeve, duhet ta bëjë çështjen e antikorrupsionit, si shtyllë themelore të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, përmes bashkëpunimit me Kongresin.

Fuqizimi i gruas në udhëheqje

Derisa gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së botës, niveli i përfaqësimit të tyre në pozita udhëheqëse në botë është shumë i ulët, thuhet në raport.

“Pavarësisht përparimeve të rëndësishme të kohëve të fundit, vetëm 11 për qind e krerëve aktualë të shteteve dhe qeverive janë gra, dhe në një pjesë të vogël të parlamenteve kombëtare gratë përfaqësohen në gjysmën e përbërjes”, thuhet në raport.

Vështirësitë që ballafaqohen gratë në botë janë të mëdha, dhe në dokument përmendet disa prej tyre, siç janë: humbja e vendeve të punës me ritme shumë më të larta se burrat, pastaj rritja e nivelit të dhunës si dhe puna pa pagesë.

Përfshirja dhe përparimi i grave në qeverisje dhe politikëbërje publike duhet të jetë një përparësi themelore për forcimin e demokracisë, thuhet në raport.

“Prandaj, Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një Nismë për Lidershipin Politik dhe Qytetar të Grave”, rekomandon raporti./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat