Skenarë të rinj globalë. Një botë kompetitive në kërkim të një ekuilibri

Bota

Skenarë të rinj globalë. Një botë kompetitive në kërkim të një ekuilibri

Më: 14 maj 2021 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Me rënien e Murit të Berlinit, në Kombet e Bashkuara u mendua se krizat mund të zgjidheshin me sistemin multilateral dhe jo duke pasur parasysh raportet gjeopolitike të forcave. Ishte mendimi si i Sekretarit të Përgjithshëm Boutros Ghali, ashtu edhe i OJQ të mëdha ndërkombëtare. Pati një magjepse të përgjithshme për peacekeeping dhe për conflict resolution që dukej se mund të zgjidhnin gjithçka. Por shumë shtete nuk qenë dakord, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, siç u bë e qartë në shtatorin e 1990, kur presidenti Bush mbajti përpara Kongresit diskutimin e famshëm lidhur me rendin e ri ndërkombëtar. Amerikanët mendonin se e kishin fituar Luftën e Ftohtë dhe mund t’i diktonin kushtet e tyre. Një vizion i tillë miop çoi në shumë gabime si luftërat në irak apo poshtërimi i Rusisë: amerikanët i patën premtuar Gorbaçiovit se asnjë vend i ish bllokut lindor nuk do të futej në NATO. E dimë sesi ka shkuar.

Në fazën e mëtejshme çdo vend kërkoi vendin e tij në një skenar gjithnjë e më të çrregullt dhe të pasur me mundësi. Në atë kohë u mendua se globalizimi ekonomik do të axhustonte gjithçka: doktrina hiperliberiste vitet Tetëdhjetë e përshtatur për planetin. Por ekonomia nuk i ka realizuar premtimet e saj, duke krijuar më shumë pabarazi dhe paqëndrueshmëri. Multilateralizmi u bë demode: G7, OKB, G77 (të paangazhuarit), G20 etj.: gjithçka humbiste rol. As format e reja nuk zgjasnin, si BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut) ose MINT (Meksikë, Indonezi, Nigeri dhe Turqi). Një sinjal kërcënues ka ardur nga mosrinovimi i Traktatit për Çarmatimin midis rusëve dhe amerikanëve: kanë rënë njëri pas tjetrit dhe mbetet një fuqi vetëm një (START II). Pa marrëveshje tl tilla proliferimi do të vazhdojë, me fuqitë e mesme që do të kërkojnë ta sigurojnë armën bërthamore. Shembulli i Koresë së Veriut ka bërë shkollë: një vend i vogël i varfër që arrin t’i mbajë larg fuqitë e mëdha bërthamore vetëm pse posedon bombën atomike.

Ambicia  globale e Kinës

Me atentatet e 2001 dhe luftën falimentare në Irak të 2003, një faktor tjetër kryesor në kapërcyellin e shekullit ka qenë dalja e Kinës si fuqi globale. Procesi vjen nga larg: fillimi i ndryshimit kinez i takon udhëtimit të Ten Hsiao Pinit në Singapor në vitin 1979, ku nuhatet mundësia e ofruar nga lidhja midis tregut të lirë dhe sistemit autoritar. E pasoi shpikja e dmeokracive iliberale: modeli më në modë në panoramën gjeopolitike globale ndërsa demokracitë e vjetra liberale duken joefikase dhe në rënie. Sigurisht që rrugëtimi kinez është mbushur me pengesa: Sheshi Tien An Men më 1989 shënon një krizë të parë. Më së fundmi trazirat e Hong Kongut. Nesër do të jetë Tajvani? Një tjetër pengesë për Kinën djanë qafat e shishes e ekonomisë së globalizuar: BRI (Belt and Road Initiative) tokësore mund të bllkohet nga një krizë politike në Azinë Qendrore apo një luftë në Lindje të Mesme. Ajo detare mund të gjendet e ngadalësuar në Afrikë apo në vetë Azinë: mjafton një incident në Ngushticën e Malakës nga ku kalojnë të gjitha mallrat. Së fundi, një pengim për Kinën është të ndjerit e rrethuar në hapësirën e vet detare pa thellësinë e nevojshme strategjike. Ja pse synon në ishuj dhe ishuj të vegjël, bie dakord apo kërcënon fqinjët.

Në historinë e saj mijëravjeçare, Kina nuk ka qenë kurrë talasokraci (fuqi detare): duhet të mësojë akoma shumë, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë talasokracia e vetme me akses global. Nga një realitet i tillë deduktohet rëndësia e konfrontimit midis rimland euraziatik (rrethit tokësor dhe detar që lidh Kinën me Europën) dhe indo – paqësorit (aleanca midis Shteteve të Bashkuara, Indisë, Australisë dhe Japonisë në funksion antikinez). Qysh kur Kina është bërë fabrika e botës, roli kyç i Atlantikut në tregëtinë botërore është zëvendësuar nga ai i dy oqeaneve lindore.

Rimland është edhe zona ku Pekini po vendos varësen e tij të perlave: portet, që me perdorimin e dyfishtë të tyre (tregëtar dhe ushtarak), përfaqësojnë pikat e mbështetjes nga Azia në Europë, nëpërmjet dy oqeaneve, Detit të Kuq dhe Mesdheut. Mund të ndodhë që pika fundore e një varëseje të tillë mund të bëhet një port italian: janë të vetëdijshme qeveria dhe parlamenti italian? Mbi skenarë të tillë çimentohen fuqitë e mesme. Një rol kyç e ka Azia Qendrore ku kryqëzohen në tokë Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Të ndodhura brenda rrethit, Turqia dhe Irani kanë ambicie alternative. Turqia ka rigjetur krenari dhe pozicionim politik duke ripërshkuar gjurmët e Perandorisë Osmane të dikurshme: Mesdhe, Libi, Kaukaz, Afrikë Lindore myslimane. Si fuqi e mesme e pajisur me një ushtri të mirë dhe sidomos me një marinë ushtarake efikase, Turqia mund të luajë një rol prej terminali si të strategjisë indo – paqësore perëndimore, ashtu edhe të atij rimland kinez. I takon Perëndimit që ta kuptojë me inteligjencë sesi të bëjë traktativa me Ankaranë, e cila qysh nga 2003 e deri më sot e ka katërfishuar PBB e saj.

E ardhmja e multilateralizmit

Edhe Irani mbetet i pavendosur midis të dy opsioneve: të rinisë negociatën me Perëndimin (Biden duket se synon të rifillojë dialogun) apo të hidhet në krahët e Pekinit me të cilin ka firmosur një marrëveshje teknologjike dhe financiare? Opsioni i dytë mund të bëjë Teheranin që të tejkalojë vështirësitë e embargos aktuale, por edhe ta bëjë që të humbasë edhe atë hapësirë manovre aq të gjerë të pasur deri më sot, siç është parë tek lufta në Siri. Irani nuk posedon një strukturë ekonomike të tillë sa të përfitojë nga futja në BRI, por ndëkohë synon tek dalja mesdhetare. Përkrah evolucioneve të tilla konsumohet drama gjeopolitike e botës arabe. Siria do të mbesë për një kohë të gjatë nën kontrollin e Rusisë, Turqisë dhe Iranit. Iraku është i sakatuar midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Egjipti është në vështirësi dhe e ka humbur rolin e tij drejtues. Algjeria është e palëvizshme dhe nuk del nga agonia e gjatë e regjimit ushtarak. Vetëm Arabia Saudite dhe aleatët e saj të Gjirit shprehin një aktivizëm gjeopolitik me rëndësi, por bëhet fjalë për një tjetër botë arabe, e lidhur moti me Perëndimin.

Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara shikojnë nga e kaluara. «Jemi një popull që ka të përbashkët të ardhmen», tha Obama në fjalimin inaugurues të 2008: fjalë të destinuara të riformojnë unitetin e një vendi pas shumë polemikash, të prirura që të shkrijnë ndarjen etno – sociale, për t’i bërë Shtetet e Bashkuara të dalin nga ndjenja e rënies. Por me Trump në 2016 është parë se plagët qenë të gjitha të hapura dhe mbizotëronte një mënyrë ngurruese shikimi të botës. Tek i djathta i është vënë shuml theks ndjenjës së rënies të “botës së bardhë”, duke vënë në lëvizje një kërkim plot ankth të pastërtisë identitare. Në vend të që të shikonin përtej, Shtetet e Bashkuara (por edhe gjithë Perëndimi) preferojnë që të diskutojnë për të kaluarën, duke u ndarë midis cancel culture dhe suprematizmit. Një polemikë që zhvillohet duke e copëzuar skanimin klasik të djathë/të majtë.

Së fundi, Europa është e kushtëzuar nga një mentalitet ndryshe: sot europianët nuk kanë pretendime për hegjemoni globale. Për pasojë nuk arrijnë të raportohen në mënyrë konveniente as me Kinën (apo me Turqinë, Iranin etj.), por as edhe me Shtetet e Bashkuara të preokupuara se po humbasin forcë. Europianët janë të përqëndruar vetëm në kuptimin sesi të ruajnë lirinë dhe shtetin e së drejtës të tyre në një kontekst lufte për influencë dhe konkurrence globale. Nuk duam t’i ulim standardet tona: jo rastësisht, Emmanuel Macron flet vazhdimisht për Europe protection dhe për luftë kundër separatizmit komunitar. Bashkimi Europian duhet të zgjedhë nëse dëshiron të bëhet një fuqi (opsioni francez), të kërkojë një statuskuo në barazlargësinë midis Uashingtonit e Pekinit (opsioni gjerman) ose t’i përshtatet ombrellës amerikane dhe prioriteteve të ndryshueshme të tyre (opsioni italian, por në thelb edhe britanik).

Mbetet për t’u përcaktuar se cila do të jetë e ardhmja e multilaterales, domethënë roli i ri i Kombeve të Bashkuara. Një bangoprovë reale sigurisht që i është pandemia: ndërsa shtetet mbyllen në vetëvete, Kombet e Bashkuara mbeten shpresa e vetme për shumë vende për të marrë vaksinën. Kina mund të përfitojë nga një situatë e tillë, ama vetëm nëse Kombet e Bashkuara mund të flasin në emër të të gjithëve në termat e sigurisë njerëzore, mjedisore, shëndetësore dhe ekonomike, pa qenë të ndikuara nga axhende sekrete apo interesa palësh. Nëse do të dijnë ta bëjnë siç duhet, atëhere një botë e çoroditur do ta ketë gjetur pikën e re e ekuilibrit të saj. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat