Haiti: Funerali i presidentit të vrarë mbahet mes tensioneve në vend

Bota

Haiti: Funerali i presidentit të vrarë mbahet mes tensioneve në vend

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 18:30
Foto ilustrim

Të premten në Haiti u mbajt funerali i Presidentit Jovenel Moise, dy javë pasi ai u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në një atentat që ende mbetet i rrethuar nga misteri.

Personalitete të huaja, përfshirë këshilltarin më të lartë të Presidentit të Shtetete të Bashkuara, Joe Biden për Hemisferën Perëndimore ishin të pranishëm në ceremoni, ashtu si edhe qytetarë të Haitit.

Zoti Moise u qëllua me armë në shtëpinë e tij në Port-au-Prince në orët e para të mëngjsit më 7 korrik, një ngjarje që shkaktoi një krizë të re politike në vendin e Karaibeve, që ka pasur probleme me varfërinë, mungesën e ligjit dhe të stabilitetit.

Protestat e përkrahësve të indinjuar të zotit Moise tronditën qytetin e lindjes së udhëheqësit të vrarë, Cap-Haitien, për të dytën ditë radhazi ndërsa punëtorët përgatiteshin për varrimin.

Protestuesit i vunë zjarrin gomave të makinave për të bllokuar rrugët.

Atentati ndaj presidentit ishte një kujtesë e ndikimit të vazhdueshëm të aktorëve të huaj në vendin më të varfër të Hemisferës Perëndimore.

Sulmi u krye nga një grup që përfshinte 26 ish-ushtarë kolumbianë, të paktën gjashtë prej të cilëve kishin marrë më parë trajnime ushtarake

në Shtetet e Bashkuara. Mes të akuzuarve kishte edhe haitiano-amerikanë.

Trazirat e kanë vënë Haitin mes përparësive të politikës së jashtme të zotit Biden dhe të enjten Departamenti i Shtetit emëroi një të dërguar të posaçëm për vendin. Presidenti amerikan ka hedhur poshtë një kërkesë nga udhëheqësit e përkohshëm të Haitit për të dërguar trupa për të mbrojtur infrastrukturën.

Një ish eksportues bananesh, zoti Moise nuk arriti të shuante dhunën e bandave që u shtua gjatë mandatit të tij dhe ai u përball me valë protestash në rrugë dhe me akuza për korrupsion dhe keqmenaxhimin e ekonomisë.

Megjithatë, demonstruesit në Cap-Haitien po shfrynin zemërimin për shumë pyetje që mbeten pa përgjigje në lidhje me vrasjen, përfshirë kush e planifikoi atë dhe cilat ishin arsyet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat