Presidentin brazilian e nxjerrin nga restoranti: Picën haje në trotuar

Bota

Presidentin brazilian e nxjerrin nga restoranti: Picën haje në trotuar

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 17:38
Jair Bolsonaro

Krerët e pavaksinuar të shteteve që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë mund t’u duhet të ushqehen me një pica në trotuar, në vend që të hanë ushqimet e shkëlqyera të restoranteve të Nju Jorkut.

Kështu është ushqyer presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, natën e tij të parë në Nju Jork, ku askush nuk lejohet të hyjë në restorantet e qytetit pa dëshmi të vaksinimit kundër COVID-19, thotë VOA.

Populisti i ekstremit të djathtë është një skeptik i vaksinave, i cili është mburrur se nuk është vaksinuar, duke thënë para se të nisej për në Nju Jork se sistemi i tij imunitar është mjaft i fortë për të shmangur coronavirusin.

Dy ministra të kabinetit në delegacionin e tij postuan një fotografi të Bolsonaros dhe ndihmësve të tij duke ngrënë pica në një trotuar të Nju Jorkut të dielën në mbrëmje. Kur kryeministri britanik Boris Johnson e pyeti në një takim të hënën nëse ishte vaksinuar, Bolsonaro u përgjigj: “Jo, ende jo”.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë, “përfshirë Bolsonaron nga Brazili”, që të vaksinohen para se të marrin pjesë në mbledhjen e Kombeve të Bashkuara në qytet. “Nëse nuk doni të vaksinoheni, mos u mundoni të vini”, tha de Blasio në një konferencë shtypi.

Javën e kaluar, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Abdulla Shahid njoftoi 193 shtetet anëtare se një sistem nderi i vaksinimit për COVID-19-ën në OKB do të mbetet në fuqi për presidentët, kryeministrat dhe diplomatët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat