Presidenti Biden diskuton çështjen e zinxhirit të furnizimit me udhëheqës të bizneseve

Bota

Presidenti Biden diskuton çështjen e zinxhirit të furnizimit me udhëheqës të bizneseve

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 06:30
Joe Biden

Presidenti amerikan Joe Biden u takua në Shtëpinë e Bardhë të hënën me shefat ekzekutivë të kompanive të mëdha të shitjeve me pakicë për të mësuar rreth sfidave të zinxhirit të furnizimit gjatë sezonit të ngarkuar të festave.

"Udhëheqësit e biznesit që erdhën këtu sot përfaqësojnë një pjesë të dyqaneve dhe pikave të shitjeve në internet që përdoren nga amerikanët. Pra, këtu janë të përfaqësuar kompanitë më të mëdha të shitjeve me pakicë, prodhues të pajisjeve elektronike, lodrave dhe pajisjeve shëndetësore", tha presidenti Biden.

"Dua të dëgjoj nga secili prej jush për atë që po shihni në këtë sezon festash", u tha ai udhëheqësve të biznesit.

Administrata e Presidentit Biden po ndeshet me vështriësi në përpjekjet për të zgjidhur problemet e zinxhirit të furnizimit, duke përfshirë bllokadat në portet e vendit dhe mungesën e shoferëve të kamionëve për të transportuar mallra në të gjithë vendin. Çështjet e zinxhirit të furnizimit, çmimet e karburantit që u rritën ndjeshëm në fillim të këtij viti dhe faktorë të tjerë kanë kontribuar në rritjen e inflacionit në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti i kompanisë Walmart, Doug McMillon, i cili mori morit pjesë në takim virtualisht, tha: "Ndërsa ne të gjithë jemi të shqetësuar për zinxhirin e furnizimit, ne kemi më shumë inventar se sa një vit më parë, dhe kemi inventarin që na nevojitet për të qenë në gjendje të mbështesim biznesin."

Ai theksoi se, “ne po shohim përparim. Ka patur përparin në zgjidhjen e vonesave në porte dhe ato të tranzitit.” Kompania Walmart ka parë një rritje prej 26% të numri të kontejnerëve të transportit që kalojnë nëpër portet e Shteteve të Bashkuara në muajin e kaluar, tha zoti McMillon.

Presidentja e kompanisë Food Lion, Meg Ham tha në takim se zinxhiri i furnizimit të kompanisë "është i fortë, dhe ne kemi produkte të bollshme brenda dyqaneve tona për klientët tanë gjatë këtij sezoni të festave".

Shtëpia e Bardhë tha se pjesëmarrësit e tjerë në takimin e së hënës, ata që ishin të pranishëm fizikisht dhe ata që morën pjesë në takim virtualisht, përfshinin drejtuesit e kompanive Best Buy, Samsung America North, Qurate Retail Group, Todos Supermarket, Etsy, Mattel, CVS Health dhe Kroger./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat