SHBA, 3.5 miliardë fonde të ngrira të Afganistanit për kompesimin e familjeve viktimave të 11 shtatorit

Bota

SHBA, 3.5 miliardë fonde të ngrira të Afganistanit për kompesimin e familjeve viktimave të 11 shtatorit

Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 06:27
Një roje sigurie afgane mban pushkën e tij AK-47, teksa gratë rreshtohen jashtë një makinerie ATM për të tërhequr para, në Kabul, Afganistan, 8 shkurt 2022.

Talebanët dhe familjet e viktimave të 11 shtatorit kanë reaguar ndaj vendimit të administratës Biden për të shpërndarë një fond të ngrirë të bankës qëndrore të Afganistanit prej 7 miliardë dollarësh. Presidenti Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv, sipas të cilit, gjysma e parave do të lihen mënjanë si pjesë e një fondi për ndihmë humanitare ndaj Afganistanit. Pjesa tjetër, prej 3.5 miliardë dollarësh, do të mbetet në SHBA dhe do të përdoren për kompensimin financiar të familjeve të viktimave të 11 shtatorit.

Afganët e dëshpëruar qëndrojnë në radhë për të marrë bukë falas, ndërsa kriza humanitare në vend është përkeqësuar që kur talebanët morën pushtetin në gusht dhe vendet perëndimore ngrinë ndihmën ndërkombëtare dhe qasjen tek pasuritë jashtë vendit.

“Gjendja jonë ka qenë e keqe prej rreth dy vitesh. Më përpara arrija të siguroja bukë dhe ujë”, thotë një Muhajira Amanallah, banore në Afganistan.

Të premten, Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që mundëson që gjysma e 7 miliardë dollarëve nga banka qendrore e Afganistanit të lihen mënjanë në funksion të ndihmës humanitare për Afganistanin.

Pjesa tjetër, 3.5 miliardë dollarë do të vazhdojnë të mbahen ndërsa gjykatat amerikane shqyrtojnë kërkesat për kompensim financiar të familjeve të viktimave të 11 shtatorit.

Talibanët, që kishin kontrollin e Afganistanit në kohën e sulmeve të vitit 2001, refuzuan të dorëzonin Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve.

Një zyrtar i lartë i administratës së zotit Biden i tha Zërit të Amerikës se gjykatat amerikane, ku viktimat e 11 shtatorit kanë paraqitur padi kundër talebanëve, do të duhet të marrin vendime për kompensimin e tyre.

“Këto janë rezervat e popullit afgan. Ata nuk janë rezervat e talebanëve. Dhe kështu ngrirja e tyre dhe fillimi i ndarjes së tyre bazuar në llogaritjet tona të brendshme mendoj se dërgon mesazhin e gabuar për popullin e Afganistanit se çfarë roli po luajnë Shtetet e Bashkuara në drejtim të reagimit ndaj krizës humanitare dhe realisht ndaj krizës ekonomike që ata po përjetojnë”, thotë Jacob Kurtzer nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Talebanët gjithashtu e kritikuan këtë vendim. Zëdhënësi i talebanëve shkruante në rrjetin social Twitter se kjo është një vjedhje e parave të popullit afgan.

Por për analistin Husain Haqqani, talebanët e kanë marrë pushtetin në Afganistan me forcë dhe nuk kanë të drejtë të flasin për moral.

“Ata po përpiqen të marrin para për të cilat gjithsesi nuk kanë të drejtë t’i pretendojnë. Këto para u grumbulluan nën Republikën Afgane, të cilën talibanët e luftuan vazhdimisht. Talibanët kurrë nuk e kanë pëlqyer idenë e ndihmës ndërkombëtare që vjen në Afganistanin si “Republikë”, kështu që është mëse e pasinqertë nga ana e tyre që të përpiqen dhe tani të thonë se, këto janë paratë e popullit afgan”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Shumë familje të viktimave 11 shtatorit mbështesin shpërndarjen e parave ngrira për të ndihmuar popullin afgan, thotë Brett Eagleson, djali i një prej viktimave të 11 shtatorit. Por sipas tij nëse shpërndarja e parave për familjet e viktimave të 11 shtatorit do të lihej në dorë të gjykatave kjo do t’i fuste familjet të grindje me njëra-tjetrën, çka do të ishte e gabuar dhe e padrejtë.

Ndërkohë mbetet ende e paqartë se si administrata Biden planifikon të shpërndajë 3.5 miliardë dollarë për nevoja humanitare në Afganistan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat