Të braktisur dhe në vështirësi ekonomike, mijëra kurdë në Turqi emigrojnë në SHBA

Bota

Të braktisur dhe në vështirësi ekonomike, mijëra kurdë në Turqi emigrojnë në SHBA

Më: 17 prill 2022 Në ora: 20:05
Foto ilustrim

Mes inflacionit në rritje në Turqi, njerëzit në rajonet më të varfra lindore të vendit po luftojnë për të përballuar jetesën. Shumë prej tyre janë kurdë etnikë që kanë akuzuar prej kohësh Ankaranë për diskriminim. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, një numër në rritje i të rinjve po paguajnë kontrabandistët për t’i çuar në Shtetet e Bashkuara, ku ata shpresojnë të kenë një jetë më të mirë.

Në fshatin Agcasar, një zonë malore në Turqinë lindore, pothuajse të gjithë të rinjtë janë laguar. Jeta në këtë fshat është e vështirë dhe duket sikur për shekuj nuk ka ndryshuar. Plehrat e thata të kafshëve përdoren për ngrohje dhe gatim. Shumë shtëpi nuk kanë as ujë.

“Të gjithë miqtë tanë kanë ikur. Disa kanë shitur kafshët, të tjerët kanë shitur tokën e tyre dhe shumica janë larguar. Këtu kam mbetur vetëm unë me dy-tre shokët e mi. Ne kemi mbetur këtu se nuk kemi para. Ata që kishin para shkuan në Amerikë për të punuar”, tregon për Zërin e Amerikës, Burhan Ozdemir një banor i fshatit.

Të nxitur nga situata tejet e vështirë, banorët e këtij fshati kanë zgjedhur të emigrojnë drejt Amerikës edhe pse duhet të paguajnë shumë për udhëtimin, që kryehet në mënyrë të jashtëligjshme nga grupe kriminale.

Edhe Omeri, i cili vijon studimet në universitet, po ashtu po përgatitet për t’u larguar nga fshati.

“Dua të shkoj në Amerikë sepse këtu edhe nëse mbaroj studimet dhe të kem një profesion, nuk do të kem një rrogë të mirë. Këtu rroga është treqind dollarë në muaj, por atje është tre mijë dollarë. Vëllai im ka shkuar në Amerikë kohët e fundit, ai thotë se është i lirë atje dhe çdo gjë është e bukur. Ai do të punojë e do të më dërgojë para. Do të shkoj edhe unë atje”, tregon Omeri.

Kontrabandistët tani janë zhvendosur në zonat malore të Turqisë, siç është provinca Agri, pranë kufirit Iranian. Kjo është një nga provincat më të varfra të Turqisë.

Nuk ka shifra zyrtare, por banorët tregojnë se dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga provinca Agri vitet e fundit për në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

“Çmimi i mishit është rritur, furrat e bukës kanë rritur çmimin e bukës. Të varfërit nuk mund të sigurojnë jetesën”, thotë Haci Halis, banor në provincën Agri.

Banorët i thanë Zërit të Amerikës se u paguajnë kontrabandistëve zakonisht rreth 15 mijë dollarë. Më pas ata nisën me autobus për në Ankara, ose Stamboll dhe me avion drejt Meksikës.

Duhet të kalojnë kufirin për në Shtetet e Bashkuara, ku shumica mbahen të ndaluar nga policia ndërsa presin përgjigjen për azil. Emigrantët kurdë përmendin shpesh persekutimin në Turqi si arsye për azil.

Ali Çapkar, pronar i një dyqani, thotë se vëllai i tij u nis për në SHBA gjashtë muaj më parë.

“Iku për një jetë më të mirë dhe më shumë para. Pothuajse të gjithë të rinjtë janë zhdukur. Nga Agri ikin rreth 100 ose 150 njerëz çdo ditë. Njerëzit janë të uritur këtu”, tregon ai.

Ndërsa jeta e përditshme në këto rajone të Turqisë po bëhet gjithnjë e më e vështirë, dëshira për një jetë të re në Amerikë po i boshatis këto rajone./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat