Biden i kërkon Kongresit të miratojë një paketë ndihme prej 33 miliardë dollarë për Ukrainën

Bota

Biden i kërkon Kongresit të miratojë një paketë ndihme prej 33 miliardë dollarë për Ukrainën

Më: 29 prill 2022 Në ora: 17:36
Presidenti Joe Biden

Presidenti Joe Biden i bëri thirrjes Kongresit amerikan të enjten që të miratojë 33 miliardë dollarë ndihma shtesë për Ukrainën. Kërkesa e zotit Biden vjen pasi ligjvënësit miratuan një legjislacion që përshpejton transferimin e pajisjeve ushtarake për të luftuar sulmin e paprovokuar rus.

Ndërsa lufta e Ukrainës kundër agresionit rus futet në muajin e tretë, më shumë ndihma mund të mbërrijë së shpejti nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti Joe Biden i kërkoi Kongresit miratimin e një ndihme shtesë prej 33 miliardë dollarësh.

“Kostoja e kësaj lufte nuk është e lirë, por nënshtrimi ndaj agresionit do të jetë më i kushtueshëm, nëse e lejojmë të ndodhë. Ose do të mbështesim popullin ukrainas që mbron vendin e vet, ose do të qëndrojmë mënjanë, ndërsa rusët vazhdojnë mizoritë dhe agresionin e tyre në Ukrainë”, tha Presidenti Biden.

Ndihma prej 13.6 miliardë dollarësh, e miratuar më parë nga Kongresi, pothuajse ka mbaruar, tha Shtëpia e Bardhë të enjten.

“Duam të jemi në gjendje të vazhdojmë të ofrojmë ndihma të ndryshme sigurie dhe ushtarake për ukrainasit. Kemi shpërndarë në mënyrë strategjike ndihmën ushtarake dhe të sigurisë të miratuar javë më parë. E përshpejtuam dërgimin, sepse e dinim se Rusia po ripoziciononte forcat në lindje dhe po ndryshonte qasjen e saj strategjike për t’u përqendruar në Donbas. Kjo është e nevojshme”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki. 

Paketa e re do të përfshijë 8.5 miliardë dollarë ndihma ekonomike, 3 miliardë dollarë ndihma humanitare dhe 20 miliardë dollarë ndihma ushtarake.

“Rusët, siç mund të imagjinohet, do të vazhdojnë të përpiqen të gjejnë mënyra për të shkatërruar të gjitha aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Duhet të sigurohemi që po u ofrojmë atyre aftësitë për të zëvendësuar sistemet e mbrojtjes në rast se goditen. Kjo është një detyrë në vazhdim”, tha shefi i Pentagonit Lloyd Austin.

Propozimi i ri i Shtëpisë së Bardhë për ndihmë u bën gjithashtu thirrje Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve ndërkombëtarë, që të mbajnë qeverinë dhe oligarkët rusë përgjegjës për luftën në Ukrainë.

“Po flasim për oligarkët dhe jahtet, vilat dhe llogaritë bankare e kështu me radhë. Por nëse e pranojmë këtë parim, a mendoni se mund të zbatohet edhe për pasuritë shtetërore? Për shembull, shuma e madhe e parave, që është ngrirë në mbarë botën dhe që i përket Bankës Qendrore Ruse?”, shtroi pyetjen ligjvënësi demokrat Tom Malinowski.

“Po. Kjo është një nga gjërat që u kemi kërkuar avokatëve tanë që të shqyrtojnë. Në bazë të çfarë autoriteti ligjor mund të sekuestrohen këto pasuri”, tha kryediplomati amerikan Antony Blinken.

Administrata e Presidentit Biden gëzon mbështetje të fortë dypartiake në Kongres për dërgimin e më shumë ndihmave për Ukrainën. Të enjten, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjin që përshpejton procesin për dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë.

“E mbështes fuqishëm këtë projektligj, i cili heq pengesat burokratike për presidentin, që të arrijë marrëveshje të drejtpërdrejta me Ukrainën dhe vendet e Evropës Lindore. Flas edhe në emrin e kolegëve të mi republikanë, duke shprehur mbështetjen time me gjithë zemër për popullin e Ukrainës, ndërsa ata mbrojnë veten dhe demokracinë e tyre kundër mizorive të Vladimir Putinit”, tha ligjvënësi republikan Guy Reschenthaler .

Ndërsa miliona njerëz largohen nga Ukraina dhe shtohen raportet për mizoritë ruse, ligjvënësit amerikanë janë të vetëdijshëm lidhur me urgjencën për të vepruar.

“Është një moment i një urgjence serioze në Ukrainë, pasi ushtria e Putinit vazhdon të bombardojë spitalet dhe shkollat, të përdhunojë dhe sulmojë gratë dhe të vrasë popullsinë civile”, tha ligjvënësi demokrat Jamie Raskin.

Kërkesa e Presidentit Biden nuk pritet të përballet me kundërshtime në Kongres./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat