Raketa ruse mbi një qendër tregtare në Ukrainë, raportohet për viktima

Bota

Raketa ruse mbi një qendër tregtare në Ukrainë, raportohet për viktima

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 17:24
Zjarr në një qendër tregtare pas një sulmi me raketa në Ukrainë. Kremenchug. 27 qershor 2022

Një raketë ka goditur një qendër tregtare, në qytetin Kremenchuk në rajonin Poltava të Ukrainës mesditën e së hënës, më 27 qershor.

Pamjet e shpërndara nga vendi i ngjarjes tregojnë se ndërtesa është djegur plotësisht, ndërkohë që kryetari i bashkisë së qytetit, Vitaliy Meletskiy, me anë të një postimi në Facebook ka shkruar se raketa ka goditur ndërkohë që qendra ishte e mbushur me njerëz.

"Sulmi me raketa në Kremenchuk erdhi në një vend të mbushur me njerëz, i cili është 100% i parëndësishëm për luftimet. Ka të vdekur dhe të plagosur," shkroi Maletsky në faqen e tij në Facebook.

Sipas kryebashkiakut, detajet do të jepen nga Administrata Ushtarake Rajonale e Poltava më vonë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky më vonë njoftoi se raketa kishte goditur një qendër tregtare dhe publikoi një video të goditjes në Telegramin e tij.

“Okupatorët kanë goditur një qendër tregtare me mbi një mijë civilë brenda. Qendra tregtare nuk përbënte asnjë rrezik për ushtrinë ruse dhe nuk përbënte asnjë vlerë strategjike për ata. Qendra është duke u djegur dhe ekipet e shpëtimit po përpiqen ta shuajnë zjarrin. Numri i viktimave është i pamundur të imagjinohet. Nga pafuqia, Rusia vazhdon të godasë njerëzit e zakonshëm. Është e kotë të presësh të jenë e arsyeshëm apo njerëzorë”, shkroi presidenti ukrainas.

Më herët, kreu ushtarak i Poltavas, Dmitry Lunin tha se trupat ruse qëlluan mbi Kremenchuk. Shpërthime u dëgjuan edhe në Poltava, por aty nuk ka informacione për goditje me raketa.

Më 18 qershor, tetë raketa u qëlluan në Kremenchuk. Askush nuk u lëndua nga bombardimet./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat