Stoltenberg e mbylli samitin me një paralajmërim: Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s

Bota

Stoltenberg e mbylli samitin me një paralajmërim: Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 16:22
Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e mbylli samitin e aleancës ushtarake perëndimore me një mesazh për Moskën se aleatët janë të gatshëm të “mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s” dhe se mbështesin plotësisht Ukrainën në luftën e saj kundër forcave ruse.

Stoltenberg tha se NATO “u sigurua që kundërshtari të jetë i bindur se nëse do të bënte diçka të ngjashme me atë që Rusia i bëri Gjeorgjisë në vitin 2008 ose Ukrainës tani, do të shkaktonte një përgjigje të plotë nga e gjithë aleanca”.

Norvegjezi më tutje deklaroi se në samitin treditor në Madrid u morën disa vendime “transformuese”.

Përveç premtimit të ndihmës më të madhe nga anëtarët e NATO-s për Kievin, aleatët ranë dakord të rrisin numrin e forcave të tyre të reagimit të shpejtë në Evropën Lindore nga 40 mijë në 300 mijë trupa.

Në samit, Suedia dhe Finlanda u ftuan të bashkohen si anëtarë të rinj dhe u miratua një listë e re e prioriteteve kryesore të sigurisë për dekadën e ardhshme.

“Ne po përballemi me situatën më serioze të sigurisë në dekadat e fundit, por sfidës po i përgjigjemi me unitet dhe vendosmëri”, tha Stoltenberg.

Ndryshe, dje përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s miratuan në Madrid një Koncept të ri Strategjik dhe detajet e kësaj marrëveshjeje u publikuan në faqen zyrtare të aleancës.

Dokumenti i dytë më i rëndësishëm i Aleancës do të jetë një udhërrëfyes për të gjitha vendet anëtare në dhjetë vitet e ardhshme dhe ai përshkruan qartë detyrat që shtetet dhe vetë Aleanca duhet të zgjidhin në periudhën e ardhshme.

Ndër të tjera, në pjesën hyrëse të Konceptit Strategjik të NATO-s, theksohet se shtetet anëtare do të qëndrojnë të palëkundur në vendimin e tyre për të mbrojtur një miliard qytetarë, për të mbrojtur territorin e tyre si dhe për të ruajtur lirinë dhe demokracinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat