Telefonata Biden-Xi pritet të përqëndrohet tek tensionet për Tajvanin dhe sulmi i Rusisë në Ukrainë

Bota

Telefonata Biden-Xi pritet të përqëndrohet tek tensionet për Tajvanin dhe sulmi i Rusisë në Ukrainë

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 21:21
Joe Biden dhe Xi Jingping

Presidenti amerikan Joe Biden pritet të bisedojë të enjten me Presidentin kinez Xi Jingping. Në qendër të telefonatës do të jetë çështja e Tajvanit dhe sulmi i Rusisë në Ukrainë. Kina ka paralajmëruar rishtazi kundër një vizite të mundshme të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Pekini e pretendon si territorin e tij.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij kinez Xi Jinping pritet të bisedojnë të enjten, tha një person në dijeni të planeve, ndërsa në pikat kryesore të rendit të ditës pritet të jenë Tajvani dhe sulmi i Rusisë në Ukrainë.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve të martën se menaxhimi i konkurrencës ekonomike midis dy vendeve do të ishte gjithashtu fokusi i telefonatës.

Kjo do të jetë telefonata e pestë mes dy udhëheqësve dhe vjen pasi Kina i ka bërë paralajmërime të mëtejshme administratës së Presidentit Biden kundër një vizite të mundshme të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Pekini e pretendon si territorin e tij.

“Mendoj se është e rëndësishme që të tregojmë mbështetje për Tajvanin. Gjithashtu askush prej nesh nuk ka thënë ndonjëherë se jemi për pavarësinë, kur bëhet fjalë për Tajvanin. Kjo është në dorë të Tajvanit që ta vendosë”, tha zonja Pelosi.

I pyetur gjatë një konference të rregullt për shtyp të mërkurën në Pekin për të konfirmuar telefonatën, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze tha se nuk kishte informacion për të ofruar, ndërkohë që ministria paralajmëroi më herët me tone të forta kundër vizitës.

“Nëse Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Pelosi viziton Tajvanin, kjo do të shkelte seriozisht parimin e një Kine të vetme dhe kushtet e parashikuara në tre deklarata të përbashkëta Kinë-SHBA, si dhe do të dëmtonte seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.

Sipas politikës së saj të një Kine, Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare me Tajvanin, por legjislacioni amerikan parashikon ndihmë për ishullin për mbrojtje. Shtëpia e Bardhë ka theksuar se qëndrimi nuk ka ndryshuar pavarësisht spekulimeve për një udhëtim të mundshëm të zonjës Pelosi.

Zoti Kirby tha se zonja Pelosi është në hierarkinë e drejtuesve të vendit dhe si e tillë, udhëtimi i saj jashtë vendit ishte një çështje e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, por se vetëm ajo mund të merrte vendime për udhëtimin e saj.

Nxehja e toneve në retorikën nga Kina për udhëtimin e mundshëm vetëm sa i përshkallëzon tensionet, tha zoti Kirby, duke e quajtur këtë të padobishme dhe sigurisht aspak të nevojshme duke pasur parasysh situatën.

Administrata amerikane ka diskutuar nëse do të heqë disa tarifa për mallrat kineze si një mënyrë për të nxitur ekonominë amerikane, por zoti Kirby tha se nuk pritej të merrej një vendim përpara telefonatës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat