OKB: Puna e detyruar e minoriteteve në Kinë mund të përbëjë “skllavëri”

Bota

OKB: Puna e detyruar e minoriteteve në Kinë mund të përbëjë “skllavëri”

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 12:03
Një qendër ndalimi në rajonin e Ksinjiangut. Fotografi nga arkivi.

Puna e detyruar që Kina po aplikon ndaj myslimanëve ujgurë dhe minoriteteve të tjera në Ksinjiang, mund të përbëjë “skllavëri si krim kundër njerëzimit”, tha një ekspert i pavarur i Kombeve të Bashkuara.

Ujgurët dhe grupi etnik turkik kryesisht vijnë dhe janë të lidhur me kulturën e rajoneve të Azisë Qendrore dhe Lindore.

Trajtimi i tyre nga zyrtarët kinezë në rajonin e Ksinjiangut, ku ujgurët janë vendosur në kampe ndalimi, është cilësuar si gjenocid nga Shtetet e Bashkuara, përderisa OKB-ja ka akuzuar autoritetet kineze për arrestime të paligjshme dhe keqtrajtime të ujgurëve, përmes punës së detyrueshme.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, pothuajse 2 milionë ujgurë, kazakë dhe anëtarë të tjerë të grupeve etnike në Ksinjiang janë dërguar në qendra ndalimi në këtë rajon perëndimor kinez.

Kina mohon se këto ndërtesa janë kampe ndalimi, duke thënë se ato janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin, separatizmin dhe radikalizmin fetar.

Por, banorët që kanë arritur të ikin nga provinca kanë thënë se mijëra persona në këto ndërtesa i nënshtrohet “indoktrinimit politik”. Këto ndërtesa në Ksinjiang zyrtarisht njihen si kampe të riedukimit.

Raporti, i publikuar në orët e vona të 16 gushtit nga raportuesi i posaçëm i OKB-së mbi skllavërinë moderne, Tomoya Obokata, theksoi se janë dy “sisteme të shtetit” në Kinë ku po ndodh puna e detyrueshme.

Njëri është një sistem qendrash arsimore dhe trajnuese, ku minoritetet mbahen dhe janë subjekt i punës së detyrueshme. Ndërkaq, sistemi tjetër përfshin përpjekjet për të ulur varfërinë përmes transferimit të punëtorëve. Sipas këtij sistemi, punëtorët ruralë zhvendosen në “punë sekondare ose terciare”.

“Përderisa këto programe mund të krijojnë mundësi të punësimit për minoritetet dhe të rrisin të ardhurat e tyre... raportuesi i posaçëm konsideron se treguesit e punës së detyrueshme lënë të kuptohet se puna është e natyrës jovullnetare që prek komunitetet që janë prezantuar në shumë raste”, u tha në raport.

Natyra dhe shtrirja e kompetencave mbi punëtorët – përfshirë vëzhgimet e ashpra dhe kushtet e rënda të jetesës dhe punës – mund të përbëjnë “skllavëri si krim kundër njerëzimit, dhe kjo gjë meriton një analizë të mëtejme të pavarur”, u tha në raport.

Obokata tha se sisteme të tilla të punës ekzistojnë edhe në Tibet, ku “përmes programeve, shumë punëtorë, kryesisht fermerë transferohen në punë që kërkojnë pak aftësi dhe paguhen pak”.

Në maj, shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, realizoi një vizitë gjashtëditore në Kinë. Gjatë kësaj vizite të rrallë, ajo po ashtu vizitoi Ksinjiangun.

Kjo vizitë e Bachelet ishte kritikuar nga Uashingtoni dhe grupet e të drejtave të njeriut dhe disa kritikë kanë kërkuar dorëheqjen e saj.

Bachelet pritet të publikojë raportin e detajuar rreth kësaj vizite, para se t’i mbarojë mandati në fund të muajit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat