Shkencëtarët ngrenë alarmin: Ndryshimi i klimës të sëmur. Bota, në rrezik nga kriza e shëndetit

Bota

Shkencëtarët ngrenë alarmin: Ndryshimi i klimës të sëmur. Bota, në rrezik nga kriza e shëndetit

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 17:11
Ilustrim

Shkencëtarët kanë dhënë alarmin: Shumë sëmundje bëhen më rezistente kur moti kalon në ekstreme si nxehtësia dhe përmbytjet. Imuniteti bie dhe sëmundjet përhapen më shpejt nëpër botë.

Ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu favorizon shumë përhapjen dhe shpërthimin e sëmundjeve infektive. Në këtë përfundim kanë ardhur autorët e një studimi të Universitetit të Havajit, botuar në revistën shkencore “Nature”.  “Ishte e tmerrshme të shikoje çfarë rreziku përbëjnë emisionet e dioksidit të karbonit për shëndetin,” thotë Camillo Mora, profesor në shkollën College for Social Science në Universitetin e Havajit dhe autori kryesor i studimit.

Studiuesit panë gjatë vlerësimit të më shumë se 800 punimeve shkencore se 58 përqind e sëmundjeve infektive të studiuara bëhen më rezistente nga ndryshimi i klimës. Në më shumë se tre mijë raste u dëshmua lidhja që ekziston midis tyre. Nga 375 sëmundjet e studiuara, sipas studimit, 160 mund të bëhen më rezistente nga nxehtësia, 121 nga përmbytjet, 71 nga stuhitë, 81 nga thatësira dhe 43 nga ngrohja e detrave.

“Trazirat shoqërore të krijuara nga pandemia e COVID-19 japin një vlerësim shqetësues për krizën në rritje të shëndetit të nxitur nga ndryshimi i klimës,” thuhet në studim.

Ndotje e ujrave nga thatësirat dhe stuhitë 

Lidhjet midis ndryshimit të klimës dhe sëmundjeve janë shumë të ndryshme: Mungesa e ujit dhe ushqimit shkaktuar nga thatësirat bëjnë për shembull që kafshët e egra të guxojnë t’i afrohen më shumë zonave të banuara. Nga kjo rritet rreziku për njerëzit, të cilët infektohen me sëmundje të transmetueshme nga kafshët dhe parazitët.

Thatësirat bëjnë që njerëzit të jenë të detyruar të pijnë ujëra të ndotura. Kështu shkaktohen sëmundjet e diaresë ose kolerës.

Stuhitë, reshjet e mëdha dhe përmbytjet mund të dëmtojnë rrugët, kabllot e rrymës ose sistemin e ujrave të zeza dhe të ndërpresin furnizimin me ujë të pastër dhe të pijshëm. Ngjarje të tilla kanë bërë në të kaluarën që të shpërthejnë hepatitis A dhe E, sëmundja e rotavirusit dhe e tifos.

I nxehti dobëson sistemin imunitar 

Një pikë tjetër: Sistemi imunitar dobësohet nga ushqimi i pamjaftueshëm që shkaktohet nga thatësirat dhe nga rrymat e të nxehtit, duke u bërë më i ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Edhe stresi dhe ekstreme të tjera moti mund ta dobësojnë sistemin imunitar të njerëzve dhe kafshëve.

Studiuesit kanë parë për shembull se nxehtësia dhe mungesa e ushqimit bëjnë që lakuriqët e natës të sekretojnë më shumë viruse duke favorizuar kështu shpërthimin e virusit hendra. Ai mund të shkaktojë infeksione të rënda të trurit tek njerëzit. Shkencëtarët kanë identifikuar gjithsej më shumë se 1000 mundësi të ndryshme, që tregojnë se si ndryshimi i klimës nxit shpërthimin e sëmundjeve.

Mushkonjat sjellin sëmundje tropikale në Europë 

Temperaturat e larta jo vetëm që nxisin përhapjen e patogjeneve dhe rrisin rrezikun e infektimit, ato favorizojnë edhe përhapjen e transmetuesve, të ashtuquajturve “vektorë”. Këta bëjnë për shembull që mushkonjat ose parazitët e tjerë të shumohen në zonat e ngrohta. Nga ngrohja e tokës, ato mund të jetojnë edhe në rajone që nuk kanë qenë banuar më parë prej tyre.

Studimi ka gjetur më shumë se 100 sëmundje të përhapura nga vektorët, që bëhen më rezistente nga ndryshimi i klimës.

“Në Gjermani dhe në Europë ne shohim tani ndikimin e aktiviteteve që varen nga klima mbi nxitësit e sëmundjeve,” thotë Dr. Renke Lühken nga institute Bernhard-Nocht për mjekësinë tripikale në Hamburg (BNITM), kur flet për Deutsche Wellen. Virologu është ekspert për sëmundjet që përhapen nga insektet dhe nuk ka marrë pjesë në studimin, për të cilin u fol më sipër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat