A po shkojmë drejt luftës bërthamore? Perëndimi në alarm pas kërcënimeve të Putinit

Bota

A po shkojmë drejt luftës bërthamore? Perëndimi në alarm pas kërcënimeve të Putinit

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 16:49
Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin ndërmori një hap drejt përshkallëzimit të Luftës me Ukrainën. Në një fjalim drejtuar popullit, Putin shpalli mobilizimin e pjesshëm të popullsisë, si masë për të shmangur dështimin e “operacionit special”.

“Është një çështje për të mbrojtur territorin tonë, vendin tonë. Perëndimi dëshiron të na shkatërrojë dhe nuk dëshiron paqe mes Rusisë dhe Ukrainës. Objektivi mbetet i pandryshuar”, tha Putin.

Ai shkoi më tej në deklaratën e tij duke kërcënuar Perëndimin me përdorim të armëve bërthamore, nëse ato vazhdojnë të ndërhyjnë në konfliktin e Ukrainës.

“Perëndimi ka shkuar shumë përtej kufijve të agresionit kundër Rusisë. Janë ata që na shantazhojnë për përdorimin e armëve atomike. Unë i them Perëndimit: ne kemi kaq shumë armë me të cilat duhet të përgjigjemi. Dhe ne do të përdorim çdo burim për të mbrojmë popullin tonë”, u shpreh Putini mëngjesin e sotëm.

Deklaratat e Presidentit rus tronditin botën!

Thirrja për mobilizimin e popullsisë për herë të parë që nga lufta e dytë botërore dhe kërcënimet bërthamore, sollën reagime të menjëhershme nga liderët perëndimor dhe jo vetëm.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e nisi fjalimin e tij në OKB me një me retorikë të fortë kundër Rusisë dhe deklaratave të presidenti rus. Ai akuzoi Rusinë për “kërcënime të papërgjegjshme nucleare” dhe për cenim të sovranitetit të shtetit të pavarur të Ukrainës, duke shtuar se mbështetja ndaj Kievit do të vazhdojë.

“Ukraina ka të njëjtat të drejta që i përkasin çdo kombi sovran. Ne do të qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën dhe kundër agresionit të Rusisë”, tha Biden duke shtuar se nuk do njohin referendumet që do të mbahen nga Rusia në rajonet e okupuara të Ukrainës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, reagoi gjithashtu ndaj deklaratave të presidentit rus dhe i kërkoi botës të rrisë presionin ndaj, Vladimir Putinit.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion maksimal ndaj Putinit, vendimet e të cilit do të shërbejnë për të izoluar më tej Rusinë ”, tha Macron.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, u shpreh i vendosur se Rusia “nuk mund ta fitojë këtë luftë kriminale” në Ukrainë dhe shtoi se Putin “me vendimet e tij më të fundit e përkeqësoi situatën”.

Udhëheqësi gjerman tha se; “Referendumet e rreme në katër rajone të pushtuara nga Rusia të Ukrainës  nuk do të pranohen kurrë“.

KE reagoi gjithashtu me anë të zëdhënësi, Peter Stano, i cili u shpreh se ky është një sulm ndaj parimeve themelore të komunitetit ndërkombëtar dhe ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh se mobilizimi i mijëra trupave shtesë nga presidenti rus, Vladimir Putin për luftën në Ukrainë do të përshkallëzojë edhe më tej konfliktin dhe dënoi veprimet e Rusisë si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.

Ukraina zyrtare, gjithashtu dënoi vendimin e Putinit për mobilizim, ata u shprehen se kjo lëvizje tregon se lufta nuk po shkon sipas planit të Moskës dhe se Putin qartazi po tenton të bartë fajin diku tjetër për fillimin e luftës në Ukrainë.

Reagime pati edhe nga vendet të cilat kanë mbajtur një qëndrim neutral sa i takon pushtimit rus të Ukrainës.

Ministria e Jashtme e Kinës, pas deklaratave të presidentit rus për luftë bërthamore, ju kërkoi palëve që të angazhohen në dialog dhe konsultim.

Çfarë ndodhi në Rusi pas fjalimit të presidentit Putin ?

Thirrja e Presidentit Rus, Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm do të prekë rreth, 300,00 qytetarë rus të cilët do duhet të veshin uniformën ushtarake për tu nisur në frontin e parë të luftës. Por kjo thirrje duket se nuk është pritur mire nga populli rus, të cilët kane nisur të organizohen dhe të bëjnë thirrje për të protestuar kundër vendimit.

Protesta të shumta kanë nisur nëpër rrugët e disa qyteteve të Rusisë, pas thirrjeve të shumta nëpër rrjetet sociale për të kundërshtuar vendimin.  Policia është futur për të shpërndarë protestuesit dhe raportohet për qindra të arrestuar deri më tani.

Aeroportet në Rusi u mbushën plotë në orët e para pas deklaratës së presidentit, në tentativë për tu larguar nga vendi dhe për ti shpëtuar rekrutimit dhe më pas dërgimit në luftë. Pak orë më vonë Rusia doli me një njoftim që meshkujt të mos lejohen të fluturojnë jashtë vendit, duke bllokuar kështu një nga mnyrat për tu arratisur nga vendi.

Finlanda gjithashtu u pa si një derë shpëtimi për rusët, të cilët nxituan me makinat e tyre drejt kufirit finlandez për tu arratisur sa më shpejt nga vendi. Por dyndjet masive shkaktuan radhë të gjata kilometrike duke paralizuar kështu lëvizjen drejt kufirit në Finlandë.

Çfarë nënkupton mobilizimi i pjesshëm ushtarak ?

Mobilizimi i pjesshëm ushtarak nënkupton se rezervistët do të thirren që të shërbejnë në luftë. E ky proces do të fillojë menjëherë. Rezervistët nënkuptojnë pjesëtarë rezervë të ushtrisë. Në një kuptim më të gjerë, bëhet fjalë për persona që kanë kryer shërbimin ushtarak.

Në Rusi, shërbimi ushtarak është akoma i obligueshëm për të gjithë meshkujt nga mosha 18 deri në 27-vjeç dhe zgjatë 12 muaj. Shmangia e kryerjes së shërbimit ushtarak dënohet deri me dy vite burgim. Por ekzistojnë mënyra të ndryshme të rrugëve legale të mund të shmanget shërbimi ushtarak. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat