Ukrainë, disa gazetarëve u hiqet akreditimi pas mbulimit të ngjarjeve në Kherson

Bota

Ukrainë, disa gazetarëve u hiqet akreditimi pas mbulimit të ngjarjeve në Kherson

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 16:17
Foto ilustrim

Pas çlirimit të qytetit të Khersonit në mes të nëntorit, bota pa video të civilëve të gëzuar duke mirëpritur ushtarët ukrainas. Megjithatë, disa gazetarë të cilët hynë në qytet para zyrtarëve qeveritarë, humbën akreditimin për shkak të mbulimit të ngjarjes pa miratimin e qeverisë ukrainase. 

Pasi disa gazetarë hynë në qytetin e sapo çliruar të Khersonit pa miratimin e qeverisë ukrainase, Kievi revokoi akreditimin e tyre. 

Ministria e Mbrojtjes e njoftoi vendimin, duke thënë se gazetarët "injoruan kufizimet ekzistuese". 

Anëtarët e komunitetit të gazetarëve u përgjigjën duke kërkuar nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy dhe zyrtarët ushtarakë ukrainas që t’u rikthejnë menjëherë gazetarëve akreditimin për të mbuluar ngjarjet në Kherson. 

Anastasia Stanko, ishte një prej gazetareve ukrainase, që vizitoi Khersonin në orët e para pas çlirimit. 

“Ishte e rëndësishme të isha aty për të mbuluar atmosferën e festës, ashtu siç bënë disa gazetarë të tjerë. Ngjarja tregoi se propaganda ruse ka gënjyer, duke thënë se Forcat e Armatosura të Ukrainës "do të kthehen dhe do t’i vrasin të gjithë në këtë qytet rus". Nuk ka nevojë të shpiken gjëra që nuk janë të vërteta. Ju mund të shihni se si banorët vendas i mirëpritën ushtarët ukrainas”, thotë ajo. 

Kryeredaktorja e gazetës “Ukrainska Pravda”, Sevgil Musaieva është dakord me këtë vlerësim. Edhe korrespondentit të saj Dmytro Larin iu hoq akreditimi. 

“Ishte një video shumë e rëndësishme që tregonte se si vendasit i mirëpritën forcat e armatosura ukrainase. Pamjet vërtetuan se nuk ishin të vërteta pretendimet e Rusisë se kishte rreth 80% mbështetje për referendumet në këto rajone”, thotë ajo. 

Ministria ukrainase e Mbrojtjes mbrojti vendimin e saj, duke thënë se ishte shumë e rrezikshme që gazetarët të shkonin në qytetin e sapoçliruar. Por zonja Musaieva thotë se rëndësia e dokumentimit të çlirimit të Khersonit ishte më e madhe se rreziku që paraqiste mbulimi i ngjarjes për gazetarët. 

"E kuptoj se lufta imponon disa kufizime në punën e gazetarëve, bombardimet, vizitat e zonave luftarake. Por në këtë rast, ishte shumë e rëndësishme t'i tregohej botës Khersoni i çliruar", thotë ajo. 

Sindikata Kombëtare e Gazetarëve të Ukrainës i ka bërë gjithashtu thirrje Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes që të ndryshojë vendimin e saj. 

"Autoritetet dhe udhëheqja ushtarake duhet t'u kthejnë akreditimin gazetarëve që dokumentuan ngjarjen historike të çlirimit të Khersonit", thotë Sergiy Tomilenko nga Sindikata Kombëtare e Gazetarëve të Ukrainës. 

Organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve gjithashtu kanë shprehur shqetësim për këtë çështje. 

“Nuk mund ta kuptoj justifikimin për këtë vendim dhe shpresoj që ata do të rimarrin akreditimin shumë shpejt dhe do të jenë në gjendje të vazhdojnë raportimin nga Khersoni dhe zona të tjera”, thotë Gulnoza Said nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. 

Negociata jozyrtare janë duke u zhvilluar për rikthimin e akreditimit të gazetarëve ndërkombëtarë dhe atyre ukrainas. Ende nuk është marrë një vendim zyrtar për këtë çështje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat