Zelensky fton Perëndimin të dërgojë raketa me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë

Bota

Zelensky fton Perëndimin të dërgojë raketa me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë

Më: 26 janar 2023 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Presidenti i Ukrainës ka falenderuar liderët perëndimorë për dërgimin e tankeve për të mbështetur luftën kundër Rusisë, por tha se ato duhet të dorëzohen shpejt.

Në fjalimin e tij në mbrëmjen e së mërkurës, Volodymyr Zelensky i kërkoi gjithashtu Perëndimit të dërgojë raketa me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë.

Komentet e tij erdhën pasi SHBA dhe Gjermania njoftuan se do të dërgonin tanke Abrams dhe Leopard në Ukrainë.

Rusia e dënoi njoftimin si një “provokim të hapur” dhe tha se çdo tank i furnizuar do të shkatërrohej.

Tanket do të “digjen si gjithë të tjerët”, tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin. “Ato janë thjesht shumë të shtrenjta.”

Zelensky tha se i tha Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se “duhet bërë përparim në aspekte të tjera të bashkëpunimit tonë të mbrojtjes” – me Ukrainën që kërkon furnizime me raketa me rreze të gjatë dhe artileri.

Ai bëri presion jo vetëm për një dorëzim të shpejtë të tankeve perëndimore, por edhe për një numër të konsiderueshëm: “Ne duhet të formojmë një forcë të tillë tankesh, një forcë të tillë lirie që pasi të godasë, tirania të mos ngrihet më kurrë”.

Kurse, Zelensky ka të ngjarë të përqendrohet tani në pajisjen e forcave ajrore të Ukrainës me avionë luftarakë më të avancuar teknologjikisht pas sigurimit të tankeve, shumë qeveri perëndimore mbeten kundër një lëvizjeje të tillë – nga frika se avioni mund të përdoret për të goditur objektivat brenda Rusisë, raporton BBC.

Në fjalimin e tij në Bundestag në Berlin të mërkurën, duke përshkruar detajet e planit të tankeve, kancelari gjerman Olaf Scholz këmbënguli se “nuk do të ketë dërgesa avionësh luftarakë në Ukrainë”.

Në anën tjetër, Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të mërkurën se SHBA do të dërgojë 31 tanke luftarake M1 Abrams në Ukrainë.

Vendimi për dorëzimin e tankeve u njoftua disa orë pasi Gjermania tha se do të dërgonte 14 tanke Leopard 2 në fushëbetejën ukrainase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat