Armët bërthamore ruse më efikase për propagandë, thotë gjenerali amerikan në pension

Bota

Armët bërthamore ruse më efikase për propagandë, thotë gjenerali amerikan në pension

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 21:24
Foto ilustrim

Ndërsa forcat ushtarake kanë ngecur në Ukrainën lindore, Rusia po përdor gjithnjë e më tepër sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase, një strategji që synon të dëmtojë Ukrainën ekonomikisht dhe moralisht.

Si pjesë e luftës së tij hibride, Kremlini ka shtuar retorikën kundër Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, me mbështetjen e mediave ruse të transmetimeve ndërkombëtare të cilat mbështeten nga fonde prej disa miliarda dollarësh.

Një ndër versionet më efektive të propagandës së Kremlinit është kërcënimi se do të përdorë armët bërthamore nëse Perëndimi vazhdon të ndihmojë Ukrainën.

Javës së kaluar, pasi Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania dhe Polonia njoftuan se do të dërgojnë tanke luftarake në Ukrainë, Rusia sërish përdori kërcënimet bërthamore. Ish-Presidenti rus Dmitry Medvedev parashikoi një Luftë të Tretë Botërore dhe një përplasje të fuqive bërthamore, së cilës nuk do t’i mbijetojë asnjë vend.

Gjenerali amerikan në pension Ben Hodges, ish-komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë, mendon se gjasat që Rusia të përdorë një armë bërthamore janë shumë të pakta. Ai bisedoi me Zërin e Amerikës më 24 janar, nga Frankurti i Gjermanisë.

Intervista është redaktuar për të qenë më e qartë dhe e përmbledhur.

Image
Gjatë intervistës me Gjeneralin në pension Ben Hodges (24 janar 2023)

Zëri i Amerikës: Çfarë roli luajnë përdorimi i dezinformimit dhe propagandës në luftën e Rusisë në Ukrainë?

Gjeneral Lietnant në pension Ben Hodges: Rusët kanë përdorur gjithnjë dezinformimin si pjesë e veprimtarisë së tyre. Dhe kanë kuptuar se ne në Perëndim jemi shumë të ekspozuar ndaj dezinformimit dhe madje edhe teorive të konspiracionit, pasi shumë njerëz këtu kanë humbur besimin tek qeveria dhe institucionet tona. Ne, Perëndimi, nuk kemi arritur t’u përmbahemi qëndrimeve tona. Dua të them se ndenjëm pa bërë asgjë pasi nuk mendonim se ndonjë person normal do t’i besonte gjërave të pakuptimta që vijnë nga kriminelët në Kremlin. Është kaq absurde dhe qartazi e rreme. Nuk vepruam dhe nuk i mbajtëm përgjegjës. Por po ashtu edhe sepse donim të vazhdonim të përdornim karburantin e lirë rus.

Një ndër temat më të diskutuara në lidhje me ndihmën që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët po i japin Ukrainës është kërcënimi i Rusisë për një përshkallëzim bërthamor. Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë kanë shprehur frikën se një skenar i tillë është i mundshëm. Pse mendoni se Rusia ka mundësinë ta përdorë variantin e “rrezikut të një lufte bërthamore” me kaq efektshmëri?

Ben Hodges: Ata kanë kërcënuar prej vitesh se do të përdorin armët bërthamore. Dhe sigurisht, që kur filloi 11 muaj më parë i ashtuquajturi operacioni i tyre special ushtarak, ata kanë kërcënuar me armë bërthamore sa herë që i kemi dërguar diçka Ukrainës. Por, sa herë ne kemi vendosur të vazhdojmë me nivelin tjetër të ndihmave, Rusia nuk ka bërë gjë pasi nuk mundet të bëjë gjë.

Pra, duhet thjesht t’i injorojmë këto kërcënime?

Ben Hodges: Unë do të thoja t’i marrim seriozisht pasi ata disponojnë mijëra mbushje bërthamore, dhe qartazi ata nuk shqetësohen se sa njerëz të pafajshëm do të vriten. Por, gjasat që ata të përdorin një armë bërthamore, mendoj se janë shumë të pakta. Mendoj se i besuan Presidentit Biden kur tha se do të ketë pasoja katastrofike për Rusinë nëse përdorin një armë bërthamore. Mendoj se i besuan dhe se ata gjithashtu e dinë se përdorimi i një arme bërthamore nuk do t’u japë avantazhin në fushëbetejë. Nuk do t’i ndryshojë gjërat në terren, nuk do ta përmirësojë situatën për Rusinë. Por nëse ata përdorin armët bërthamore, atëherë ky do të jetë fundi për Flotën Ruse në Detin e Zi, si dhe për forcat ruse në Ukrainë. Dhe mendoj se Shtabi i Përgjithshëm i Rusisë e di këtë. Armët e tyre janë të dobishme vetëm kur kërcënojnë se do t’i përdorin, pasi e shohin se sa prej nesh tmerrohen nga fakti që ata mund ta bëjnë këtë gjë.

Ju keni përmendur më parë se Rusia po kërcënon se do të hedhë gjithnjë e më shumë njerëz në “grirësen e mishit”. A ka shenja për një mobilizim të ri ushtarak? Si do ta ndikonte këtë luftë fluksi i rekrutëve të rinj?

Ben Hodges: Mendoj se ky shërben si një justifikim ngaqë nuk kanë një strategji për ta fituar luftën. Ata e kanë kuptuar se nuk munden ta mposhtin Ukrainën dhe kështu që po veprojnë duke futur njerëz për të fituar kohë, me shpresën se Perëndimi do ta humbë më në fund vullnetin për të mbështetur Ukrainën. Ata po hedhin raketa mbi qytete dhe po shkatërrojnë rrjetin e furnizimit me energji. Edhe kjo ishte pjesë e përpjekjeve për ta zgjatur konfliktin. Nuk ka funksionuar. Nuk po dëgjohet shumë tashmë për raketa që godasin rrjetin energjitik.

Pra, ideja që ata mund të vazhdojnë të dërgojnë njerëz, duket se është e vetmja strategji që kanë. Ata tashmë po përpiqen ta detyrojnë Ukrainën dhe Perëndimin të shqetësohen se rusët do të nisin një ofensivë të re madhore nga Bjellorusia. Me çfarë? Nuk mendoj se kanë logjistikën apo forcat e armatosura, apo madje edhe artilerinë për të mbështetur një ofensivë të tillë.

Rusia ka humbje të mëdha në njerëz, po kështu edhe Ukraina. Kjo “grirëse mishi” funksionon nga të dyja krahët për sa kohë që zgjatet lufta. Çfarë mundet dhe duhet të bëjë Perëndimi për të rritur kapacitetet e Ukrainës që t’i japë fund kësaj lufte?

Ben Hodges: Keni të drejtë që Ukraina ka pësuar shumë humbje në njerëz, por nuk mund të krahasohet me përmasat e humbjeve të Rusisë. Dhe fatmirësisht Ukraina ende nuk ka probleme me fuqinë njerëzore. Ata kanë edhe 2 milionë njerëz të aftë për shërbim ushtarak, të cilët mund të ndihmojnë. Mendoj se fuqia në njerëz nuk do të jetë problemi. Por që Ukraina të fitojë, Perëndimi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara duhet të vendosë se ne dëshirojmë që ata të fitojnë. Dhe për ndonjë arsye, udhëheqja jonë nuk ka thënë se dëshirojmë që të fitojë Ukraina. Dëgjoj shprehje si “nuk duam që Ukraina të humbasë”, ose “duam që Ukraina të jetë e suksseshme”. Por askush nuk thotë se “duam që Ukraina të fitojë, dhe do të bëjmë gjithçka të mundshme dhe nevojshme për t’u siguruar që kjo do të ndodhë”.

Dhe si e shikoni juve përfundimin e kësaj lufte?

Ben Hodges: Mendoj se nëse Perëndimi i ofron çfarë i duhet Ukrainës, që janë armët me preçizion të lartë të rrezes së gjatë të veprimit, dhe nëse vazhdon të mbështesë sanksionet ndaj Rusisë, atëherë mendoj se ata mund të çlirojnë Krimenë brenda muajit gusht. Dhe mund ta kthejnë vëmendjen drejt pjesës tjetër të Donbasit. Por, Krimea është terren vendimtar. Ajo ka më shumë rëndësi.

Përse?

Ben Hodges: Sepse pa Krimenë, Ukraina nuk do të jetë kurrë e sigurtë dhe nuk do të jetë kurrë në gjendje të rindërtojë ekonominë e saj. Edhe nëse do të çlironin Donbasin 100%, nëse Rusia do të vazhdojë të qëndrojë në Krime, ata mund të ndërpresin trafikun nga dhe drejt Odesës, mund të nisin sulme ajrore ndaj qyteteve ukrainase. Për nja dy vite mund ta rifillojnë luftën sërish. Prandaj është thelbësore që Ukraina të çlirojë Krimenë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat