LIVE: Udhëheqësit evropianë në ‘ankth’ gjatë vizitës në Ukrainë, lëshohet alarmi për sulm ajror

Bota

LIVE: Udhëheqësit evropianë në ‘ankth’ gjatë vizitës në Ukrainë, lëshohet alarmi për sulm ajror

Më: 3 shkurt 2023 Në ora: 06:45 Përditësuar në ora: 18:33 më 03.02.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Alarm për sulm ajror në Kiev gjatë vizitës së udhëheqësve evropianë

KIEV – Sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në mbarë Ukrainën të premten, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbanin një takim të nivelit të lartë në Kiev për të diskutuar më tej sanksionet ndaj Rusisë dhe perspektivën e Ukrainës për anëtarësim në BE.

Drejtuesit e komisionit dhe të këshillit të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së udhëtuan drejt Kievit për të treguar mbështetjen për Ukrainën, ndërsa po afrohet njëvjetori i fillimit të sulmit të Rusisë.

“Nuk do të ketë rënie të vendosmërisë sonë. Gjithashtu do t’ju mbështesim në çdo hap gjatë rrugëtimit tuaj për në BE”, tha Charles Michel, president i Këshillit Evropian.

Pas rënies së sirenave të alarmit nuk pati njoftime të menjëhershme për goditje raketash, sulme që janë përsëritur rregullisht gjatë muajve të fundit ndaj infrastrukturës energjitike të Ukrainës dhe shumë larg frontit të luftës në lindje dhe në jug të vendit.

Presidenti Zelensky po bën thirrje për masa më të forta ndëshkimi ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian, megjithëse sanksionet e reja që po përgatit BE-ja nuk përmbushin kërkesat e qeverisë ukrainase.

Kievi aplikoi për anëtarësim në BE vetëm pak ditë pasi Rusia filloi sulmin vitin e kaluar. Bashkimi Evropian e ka mirëpritur aplikimin, megjithëse ka dekurajuar thirrjet e Ukrainës për një përshpejtim të procesit të anëtarësim ndërsa vendi është në luftë.

Gjermania konfirmon miratimin e lejes për dorëzimin e tankeve “Leopard 1” në Ukrainë

Gjermania ka miratuar eksportin e tankeve të tipit “Leopard 1” në Ukrainë nga rezervat e saja industriale, konfirmoi një zëdhënës i qeverisë në një konferencë për media në Berlin të premten.

“Mund të konfirmoj se është lëshuar leja e eksportit”, tha zëdhënësi. Ai nuk pranoi të komentojë se sa tanke do të eksportohen.

Siç shkruan Reuters, gazeta gjermane SZ më herët raportoi se kompanitë Rheinmetall dhe Flensburger Fahrzeugbau Gesellschaft janë gati të rilokojnë dhjetëra tanke "Leopard 1" në mënyrë që t'i dorëzojnë ato në Ukrainë për të luftuar pushtimin rus.

Berlini ka thënë tashmë se do t'i japë Ukrainës 14 tanke "Leopard 2" nga rezervat e tij ushtarake.

I prezantuar për herë të parë në shërbim në vitet 1960, "Leopard 1" është paraardhësi i "Leopard 2", i cili është i vendosur gjerësisht në ushtritë e të gjithë Evropës.

Tanku "Leopard 2" konsiderohet si një nga më të mirët në vendet perëndimore. Kompania gjermane e mbrojtjes Krauss-Maffei Wegmann ka prodhuar më shumë se 3,500 tanke “Leopard 2” që nga fillimi i prodhimit në vitin 1978.

Rreth 20 vende aktualisht përdorin "Leopard 2". 

Kjo do të thotë se disa vende mund të japin disa prej rezervave të tyre për të mbështetur Ukrainën.

Ndër vendet që përdorin “Leopard” janë: Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Holanda, Norvegjia, Austria, Polonia, Spanja, Suedia dhe Turqia.

Muajin e kaluar, Gjermania ra dakord të dërgonte tanket e saj në Ukrainë pas javësh presioni nga Kievi dhe aleatët e saj evropianë.

Sipas ligjit gjerman, Berlini duhet të miratojë eksportin e tankeve edhe në rastet kur vendet e tjera që i kanë blerë duan t'i rieksportojnë./REL

NATO: Rusia t’i përmbahet Traktatit për reduktimin e armëve bërthamore

NATO i bëri thirrje Rusisë që të përmbushë detyrimet e saj në baze të Traktatit për reduktime të programeve bërthamore të quajtur START.

"Ne shohim me shqetësim se Rusia ka dështuar të përmbushë detyrimet ligjore, përfshirë inspektimin [për programet bërthamore] dhe i bëj thirrje Rusisë të përmbushë detyrimet e saj sipas Traktatit”, shkroi në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Rusia po shkel Traktatin e ri START, i cili kufizon numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia përmes raketave tokësore, detare dhe bombarduesve.

SHBA-të kanë thënë se Rusia nuk po lejon inspektimin e objekteve të saj, siç e kërkon Traktati.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, tha se Rusia mund të "rikthehet lehtësisht" te zbatimi i marrëveshjes.

“Ekziston një rrugë e qartë për kthimin [te marrëveshja]. Ajo që Rusia duhet të bëjë është që të lejojë inspektimet në territorin e saj, ashtu siç veproi për vite me radhë sipas traktatit të START dhe të marrë pjesë në takimin e komisionit konsultativ dypalësh. Asgjë nuk i pengon inspektorët rusë që të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të zhvillojnë inspektimet”, tha Patel.

Zyrtarët rusë i kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen që Uashingtoni i ka dhënë Kievit, teksa Ukraina përballet me agresionin rus.

Richard Weitz, drejtor i Qendrës për Analiza Politiko-Ushtarake në Institutin Hudson i tha Zërit të Amerikës se ka disa arsye se pse Moska mund të jetë duke shkelur Traktatin.

Në rastin më të mirë, Rusia po përpiqet të kërkojë lëshime të tjera nga Shtetet e Bashkuara, ndoshta të inspektojë më shumë sisteme amerikane. Në rastin më të keq, Rusia po mban peng procesin e kontrollit të armëve strategjike karshi agresionit të saj në Ukrainë”, tha Weitz.

Rusia nuk ka përjashtuar përdorimin e armëve taktike bërthamore në Ukrainë, çka ka ushqyer frikën globale për një katastrofë bërthamore.

Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.

Perëndimi iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.

Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Zelensky: Ukraina meriton perspektivë konkrete për anëtarësimin në BE

Përpara samitit BE-Ukrainë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për një perspektivë konkrete në anëtarësimin e vendit të tij në BE.

“Unë besoj se Ukraina meriton fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE këtë vit”, tha Zelensky dje në mbrëmje.

“Integrimi i mëtejshëm në Bashkimin Evropian do t’u jepte ukrainasve energji dhe motivim… për të luftuar pavarësisht çdo pengese dhe kërcënimi”, tha ai.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel do të takohen me Zelensky sot në Kiev.

Ukraina iu dha statusi i vendit kandidat në qershor. Megjithatë, zakonisht duhen shumë vite përpara se të jepet anëtarësimi.

Kërcënime të çmendura nga Kremlini, Medvedev thotë se ukrainasit do të shkatërrohen

Lufta pritet të përshkallëzohet. Pasi vendet perëndimi premtuan se do të furnizonin Ukrainën me armë dhe municione të sofistikuara, pala ruse nuk ka reshtur së kërcënuari. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë se Rusia do të demonstrojë gjithnjë e më shumë të gjithë potencialin e arsenalit të tij ushtarak.

Ndërsa Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se forcat ruse do t'u përgjigjen dorëzimit të armëve perëndimore në mbështetje të  forcat Ukrainaseve. Ai tha se forcat ruse do të përpiqen të shtyjnë forcat ukrainase nga kufijtë e tyre për të krijuar në këtë mënyrë një zonë të sigurt.

Lavrov tha gjithashtu se të gjithë duan që konflikti në Ukrainë të përfundojë, por se mbështetja perëndimore për Kievin luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si Rusia i qaset luftës. Kryediplomati rus bëri me dije se Moska ka plane për të lënë në hije ngjarjet pro-ukrainase të organizuara nga vendet perëndimore dhe vendet aleate. “Në përvjetorin e dërgimit të forcave të saj të armatosura nga Rusia në Ukrainë më 24 shkurt ne do të korrim fitoren tonë. E gjithë NATO po lufton kundër nesh dhe për këtë arsye është qesharake të thuash "ne nuk luftojmë, por vetëm furnizojmë armë", u shpreh ai.

Paralajmërimi tronditës i Medvedev

Nga ana tjetër Dmitry Medvedev pretendon se gjatë këtij viti, prodhuesit dhe furnizuesit e armëve në Rusi  do të rrisin "dukshëm" dërgesat e tyre të pajisjeve ushtarake në Rusi. Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurimit, tha se dërgesat e reja të armëve do të siguronin që Rusia t'i shkaktonte një "disfatë shkatërruese" ushtrisë ukrainase.

Në lidhje me armatimin e Rusisë edhe zëdhënësi i KremlinitPeskov kërcënoi me armë si kundërpërgjigje ndaj furnizimit me armë të Ukrainës nga vendet perëndimore. “Ndërsa Perëndimi furnizon armë të reja, Rusia do të paraqesë gjithnjë e më shumë të gjithë potencialin e arsenalit të saj ushtarak”, tha Peskov.

Putin mesazh të fortë për Gjermaninë

Vladimir Putin ka shkuar edhe më tej duke paralajmëruar Gjermaninë. Ai tha ditën e djeshme se Rusia po kërcënohej "përsëri" nga tanket gjermane, duke treguar transportuesit e blinduar të personelit Leopard 2 të premtuara Kievit nga Perëndimi, duke tërhequr një paralele tjetër midis luftës kundër Hitlerit dhe fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

“Ata që tërheqin vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, në një luftë të re kundër Rusisë dhe në mënyrë të papërgjegjshme e paraqesin atë si një fakt të kryer, dhe ata që mendojnë se do ta mposhtin Rusinë në fushën e betejës, padyshim që nuk e kuptojnë se lufta moderne me Rusinë do të jetë krejtësisht ndryshe”, paralajmëroi Putin.

Rusia po planifikon një ofensivë të madhe më 24 shkurt

Gjithashtu, ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov zbuloi se Rusia po planifikon një ofensivë të madhe që do të përkojë me përvjetorin e luftës në Ukrainë më 24 shkurt. Ai paralajmëroi se Rusia do të thërriste një kontingjent të madh trupash të mobilizuara. Duke iu referuar mobilizimit të përgjithshëm të Rusisë prej 300,000 rekrutësh shtatorin e kaluar, ai argumentoi se numrat në kufi sugjeronin se madhësia aktuale mund të ishte më afër 500,000.

"Ne nuk e nënvlerësojmë armikun tonë," tha Reznikov. “Zyrtarisht Rusia ka shpallur 300 mijë forca , por kur shohim ushtrinë në kufi, sipas vlerësimeve tona është shumë më tepër seç ata kanë deklaruar zyrtarisht”. Reznikov tha se ofensiva ka të ngjarë të përqendrohet në dy zona: në lindje të vendit, ku janë zhvilluar luftime të rënda javët e fundit; dhe në zonën e jugut. "Ne mendojmë se, duke qenë se Rusia jeton në simbolikë, ata do të përpiqen të provojnë diçka rreth 24 shkurtit me rastin e përvjetori të parë të fillimit të asaj që Kremlini e përcakton si një operacion special”, citoi Reznikov.

Por sipas tij dhe data 23 shkurt do të jetë një datë referimi për një ofensive të re nga ana ruse pasi kjo datë festohet në Rusi si “ Data e Mbrojtjes së Atdheut”.

Skandal/ Ish- zv.ministri kapet me miliona dollarë në shtëpinë e tij, publikohet video me topa me para

Mes skandaleve të korrupsionit në Ukrainë, është publikuar një video e 1 milion dollarëve cash të fshehura nga ish-zëvendësministri i Mbrojtjes i vendit, Oleksandr Myronyuk. 

Në fakt, ai vetë arriti të shpallej i pafajshëm në gjykatë, e cila ia ktheu paratë.

Media e huaj "Nexta" ka publikuar një video, sipas së cilës Oleksandr Myronyuk kishte pothuajse një milion dollarë para të fshehura në një divan.

Videoja dyshohet se është marrë gjatë hetimeve gushtin e kaluar.

Mironyuk thuhet se i paraqiti gjykatës një "dokument" që thoshte se paratë e gjetura në divan nuk ishin të tijat, por i ishin dhënë hua nga një 86-vjeçare banore e Kharkiv, Eleonora Duminsh. 

Sipas Pravda, gjykata ia ktheu paratë e sekuestruara Mironyuk.

Kujtohet se Ukraina të mërkurën nisi një valë hetimesh që synojnë administrata, zyrtarë dhe personalitete, ndërsa autoritetet sigurojnë se lufta kundër korrupsionit është një prioritet në kuadër të përpjekjeve të luftës dhe ndihmës perëndimore.

Në mesazhin e tij të përditshëm me video, Presidenti Zelensky është shprehur se Shërbimet e Sigurisë së Ukrainës, Byroja Shtetërore e Hetimit, Byroja e Sigurisë Ekonomike dhe Prokuroria kryen dhjetëra hetime dhe veprime të tjera në rajone të ndryshme dhe kundër personave të ndryshëm në kontekstin e procedimit penal.

“Drejtësia do të vihet në vend”, deklaroi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se do të bënte çfarëdo ndryshimi të nevojshëm në personel për të çrrënjosur korrupsionin dhe theksoi nevojën që ministria e mbrojtjes të jetë e sinqertë.

Franca më e vendosur se kurrë, i jep lajmin e mirë Ukrainës

Ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornou, foli për shtypin francez, duke sqaruar nevojën për ndihmën vazhdueshme dhe efektive ushtarake në Ukrainë.

Lexo edhe: Ky terren është vendimtar për luftën në Ukrainë, SHBA vjen me thirrje urgjente për Rusinë – po shkelet traktati!

“Ukraina ka nevojë për mbështetje ushtarake efektive, të besueshme dhe të përhershme, e cila është konsistente si në aspektin e trajnimit ashtu edhe në atë logjistik”, tha ndër të tjera ministri francez i mbrojtjes në një intervistë për gazetën Le Figaro.

“Në dhjetor folëm vetëm për mbrojtjen tokë-ajër, në janar po flasim vetëm për tanke, në shkurt kam ndjesinë se do të flasim vetëm për avionët luftarakë”, tha ministri francez.

Nga ana e tij, ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov, duke folur për stacionin BFM-TV, tha se “Rusia është duke u përgatitur shumë seriozisht për një sulm dhe duke mobilizuar 500,000 burra”, duke shtuar se mund të sulmojë më 24 shkurt.

E mban gjithmonë me vete/ Putin në gatishmëri, shfaqet sërish me “çantën bërthamore”

Vladimir Putin u pa sërish dje në publik me "çantën e tij bërthamore". Dy nga rojet e sigurisë së Vladit u panë duke mbajtur kuti të zeza teksa ai vendosi lule në Volgograd në 80-vjetorin e fitores sovjetike në betejën e Stalingradit. Sipas "TheSun", diktatori rus bëri homazhe për ushtarët e rënë sovjetikë në memorialin "Mamayev Kurgan".

Besohet se njëra nga çantat ishte një mburojë e palosshme për të mbrojtur Putinin në rast të të shtënave - ndërsa tjetra mendohet se përmban butonin e nisjes për armët bërthamore të Kremlinit.

Çanta - e cila ka një kod të personalizuar - është nën mbikëqyrje 24/7 dhe mendohet se kontrollon arsenalin bërthamor të Moskës. Thuhet se mbikëqyret nga një oficer i armatosur sigurie, i cili shoqëron Putinin kudo që ai udhëton. Çanta, e quajtur Cheget në rusisht, u zhvillua në fillim të viteve 1980 dhe iu shfaq botës për herë të parë në vitin 2019.

Rasti shihet shpesh në duart e një ndihmësi - dhe thuhet se janë 3 gjithsej.

Mbështet ofensivën ruse, Ukraina dhe Perëndimi i bëjnë thirrjen e fortë BE-së për aktorin e Hollywood-it

Ukraina dhe Perëndimi i ka kërkuar Bashkimit Evropian të sanksionojë aktorin Hollywood-ian Steven Seagal, për mbështetjen ndaj ofensivës ruse nda Ukrainës, ka raportuar “Russia Today”.

Mediat ruse e kanë quajtur të padrejtë kërkesën e tyre dhe se BE nuk duhet ta sanksionojë aktorin Segal.

Një koalicion i përbërë nga anëtarë të lartë të Kongresit të SHBA, deputetë dhe parlamentarë ukrainas i ka dorëzuar një listë të individëve që priten të sanksionohen. Lista iu dërgua më parë Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken dhe krye diplomatit të BE-së, Josep Borrell, në fund të dhjetorit.

Në listë janë të përfshirë manjatët rusë: Magomed Gadzhiev, Vladimir Lisin, Vladimir Potanin, Franz Klintsevich dhe Ksenia Sobchak. Përpos politikanëve edhe biznesmenëve në listë janë dhe Philipp Kirkorov, Igor Krutoy, Vadim Rabinovich, si dhe aktori amerikan Seagal.

Ylli i Hollivudit i viteve ’90, i cili ka qenë shtetas rus që nga viti 2016, u përfshi në listë për shprehjen e tij të mbështetjes për operacionin ushtarak të Kremlinit në Ukrainë dhe fluturimin për në Moskë në prill për të festuar ditëlindjen e tij të 70-të me bashkëpunëtorët e presidentit Vladimir Putin, të cilët ai e quajti një “lider të madh botëror”.

Segal ka fituar shtetësinë ruse që prej vitit 2016, pasi ka treguar përherë mbështetjen ndaj Rusisë dhe Putin. Ai madje ka qenë i ftuar dhe në ditëlindjen e 70-të të presidentit Vladimir Putin, pasi e ka quajtur këtë të fundit si “lider i madh botëror”.

Në gusht, u raportua se aktori ishte duke punuar në një dokumentar për luftën e Kievit kundër republikave të Donbass, të cilat që atëherë i janë bashkuar Rusisë pas mbajtjes së referendumeve publike.

Lufta Rusi-Ukrainë, ministri britanik shpjegon arsyet pse Rusia po pëson humbje shumë të mëdha

Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace tha se Rusia po pëson humbje të mëdha në fushën e betejës në Ukrainë për shkak të përdorimit të taktikave të Luftës së Parë Botërore.

Në një konferencë në Portsmouth, gazetarët e pyetën ministrin britanik për dërgimin e mundshëm të avionëve luftarakë britanikë në ushtrinë ukrainase.

Wallace u përgjigj se "nuk ka shkop magjik" që mund të ndihmojë Kievin të luftojë Moskën.

"Ne po u përgjigjemi nevojave aktuale të ukrainasve, bazuar në për atë që na thonë ukrainasit dhe çfarë dimë nga inteligjenca për ushtrinë ruse”, tha ministri britanik i mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat