Mes zërave për zëvendësim, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës vlerëson kritikat konstruktive

Bota

Mes zërave për zëvendësim, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës vlerëson kritikat konstruktive

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 16:08
Oleksii Reznikov

Në një postim në Twitter sot Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov shkruante se ‘reformat vazhdojnë edhe gjatë luftës’. Komenti i tij vjen mes një sërë dorëheqjesh e shkarkimesh në qeverinë e vendit dhe zërave se dhe ai vetë, do të zëvendësohet.

“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen si dhe kritikat konstruktive. Ne nxjerrim përfundime prej tyre", shkruante më tej zoti Reznikov.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy nuk ka bërë komente publike rreth pohimeve të një deputeti, i cili sugjeronte se ministri Reznikov do të transferohej në një tjetër pozicion.

Në fjalimin e përnatshëm, zoti Zelenskyy tha se qeveria e tij ‘po forcon pozitat drejtuese’, duke emëruar njerëz me përvojë ushtarake në rajonet kufitare e të vijës së parë të frontit.

Zoti Reznikov ka thënë se ai nuk kishte plane të jepte dorëheqjen, por shtonte se çdo vendim për të ardhmen e tij, do të merrej nga presidenti.

Ndryshimet në qeveri, të bëra në në fund të janarit, përfshinin dorëheqjen e zëvendësministrit të Mbrojtjes Viacheslav Shapovalov, i cili ishte përgjegjës për mbështetjen logjistike për trupat e Ukrainës. Ai është akuzuar për një skandal në prokurimin e produkteve ushqimore për ushtrinë, gjë që ai e ka hedhur poshtë.

Ndërkohë zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke përgatitur një ofensivë për të dëshmuar se po përparon, ndërsa afron njëvjetori i sulmit të saj në Ukrainë.

Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi të martën se ka të ngjarë që Moska po bën përpjekje prej fillimit të janarit, për të rifilluar ofensivën në Ukrainë dhe se qëllimi i saj ‘pothuajse me siguri është që të pushtojë ato pjesë të rajonit të Donetskut që janë nën kontrollin e ukrainasve’.

Por sipas zbulimit britanik, nuk ka gjasa që Rusia të sigurojë kapacitetet e nevojshme ushtarake, për të ndikuar ndjeshëm në rezultatin e luftës brenda javëve të ardhshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat