Reagime nga Ukraina pasi Rusia mori presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Bota

Reagime nga Ukraina pasi Rusia mori presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Më: 1 prill 2023 Në ora: 12:58
Foto ilustrim

Rusia ka marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pavarësisht se Ukraina iu kërkon anëtarëve të bllokojnë vendimin.

Secili nga 15 anëtarët e këshillit e merr presidencën për një muaj, sipas një modeli me radhë.

Herën e fundit kur Rusia e kishte presidencën, shkurt 2022, vendi filloi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës.

Kjo do të thotë se Këshilli i Sigurimit po udhëhiqet nga një vend, presidenti i të cilit është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar për krime të dyshuara lufte.

Gjykata Penale Ndërkombëtare – që nuk është një institucion i OKB-së – lëshoi urdhër-arrest për presidentin rus Vladimir Putin muajin e kaluar.

Pavarësisht ankesave të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara thanë se nuk mund të bllokonin Rusinë – një anëtare e përhershme e këshillit – nga marrja e presidencës.

Anëtarët e tjerë të përhershëm të këshillit janë Britania e Madhe, SHBA-ja, Franca dhe Kina.

Roli është kryesisht procedural, por ambasadori i Moskës në OKB, Vasily Nebenzia, i tha agjencisë ruse të lajmeve Tass se ai planifikoi të mbikëqyrte disa debate, duke përfshirë një për kontrollin e armëve.

Ai tha se do të diskutonte një “rend të ri botëror” që, tha ai, do të “zëvendësonte atë njëkahësh”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat