Rregulla të reja për kalimin e kufirit para skadimit të kufizimeve lidhur me pandeminë

Bota

Rregulla të reja për kalimin e kufirit para skadimit të kufizimeve lidhur me pandeminë

Më: 10 maj 2023 Në ora: 21:40
Foto ilustrim

Administrata e Presidentit Joe Biden njoftoi të mërkurën vendosjen e rregullave të reja kufizuese për kalimin e kufirit, të cilat do të kenë efekte të menjehershme tek emigrantët që përpiqen të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Rregullat e reja janë pjesë e planit të qeverisë, ndërsa pritet të skadojë afati i një urdhri ekzekutiv, që nisi të zbatohej në 2020, për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Urdhri u jepte të drejtën autoriteteve kufitare amerikane të dëbonin në mënyrë të menjëhershme emigrantët, pa u dhënë atyre mundësinë të kërkonin azil në Shtetet e Bashkuara.

Urdhri pritet të skadojë të enjten më 11 maj.

“Administrata e Presidentit Biden dhe Nënpresidentes Harris po zbaton një plan të plotë, me përfshirjen e shumë agjencive e shteteve të tjera, plan që i ka rrënjët tek zbatimi i ligjit, parandalimi i kalimit të paligjshëm të kufirit”, u tha mediave një zyrtar i lartë i emigracionit, i cili nuk pranoi të identifikohej, një praktikë e vazhdueshme në takimet me gazetarët të Departamenti amerikan të Sigurisë Kombëtare.

Aktivistë mbi çështje të emigracionit kanë paralajmëruar se do të ngrejnë sërish padi ndaj kufizimeve, njësoj siç vepruan kur ish-Presidenti Donald Trump vendosi zbatimin e urdhrit ekzekutiv, duke iu referuar akti ligjor që daton në vitin 1944, e që synon mbrojtjen e shëndetit publik.

Projekti Ndërkombëtar i Ndihmës për Refugjatët, ose IRAP, përmes një deklarate kundërshtoi të gjitha politikat që synojnë kufizimin e të drejtës ligjore për të kërkuar azil me qëllimin garantimin e sigurisë, në Shtetet e Bashkuara.

“Administrata e zotit Biden duhet ndihet e turpëruar që po ndjek të njëjta politika si ato të periudhës së zotit Trump për t’u mohuar padrejtësisht të drejtën njerëzve për t’u mbrojtur, e të jenë të sigurt, duke i kthyer ata në vendet që përbëjnë rrezik për ta”, tha Laurie Ball Cooper, nga IRAP. Sipas saj "administrata duhet të anulojë menjëherë këtë urdhër të dëmshëm dhe të paligjshëm”, sikurse e vlerësoi ajo.

Çfarë parashikon plani i ri?

Rregullat e reja parashikojnë kthimin e menjëhershëm të emigrantëve, nëpërmjet një procesi të përshpejtuar, bazuar në një ligj ekzistues mbi imigracionin. Emigrantët nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë azil me përjashtim të rasteve kur ata mund të vërtetojnë se kanë kërkuar më parë azil në një vend tjetër dhe se kërkesa e tyre është refuzuar.

Sipas zyrtarëve të administratës përjashtime do të ketë në raste të “urgjencës mjekësore”, ndaj personave që janë viktima të trafikut të qenieve njerëzore ose janë të rrezikuar ndaj “kërcënimit të menjëhershëm dhe ekstrem” në Meksikë.

Urdhri përjashton gjithashtu edhe fëmijët që udhëtojnë vetëm.

Emigrantët që bëjnë pjesë tek këto raste përjashtimore, do të përballen me pyetje më të forta sigurie prej oficerëve të azilit, në intervistën ku u kërkohet të dëshmojnë në mënyrë të besueshme se janë të rrezikuar në vendin e origjinës, çka pritet të rezultojë me një numër më të lartë refuzimesh se zakonisht për këtë faze fazë të kërkesës për azil.

Intervista paraqet shqyrtimin fillestar të kërkesës, ku emigranti duhet të dëshmojë se ka frikë të besueshme nga ndjekja ose persekutimi në vendin e origjinës. Emigrantët që nuk arrijnë ta dëshmojnë këtë do të dëbohen nga Shtetet e Bashkuara dhe nuk do lejohet të hyjnë në këtë vend për 5 vjet.

“Do të zgjerojmë në mënyrë domethënëse, duke nisur nga kjo e enjte largimin i përshpejtuar në kufi. Gjatë vitit të shkuar kemi shpenzuar shumë për ndërtimin e dhomave të intervistës dhe shtimin e linjave telefonike në objektet e Doganave dhe Mbrotjes Kufitare dhe në Agjencinë për Imigracionin, me qëllim përshpejtimin kryerjes së intervistimit nga ana e oficerëve të azilit në kuadër të procesit e largimit të përshpejtuar në kufi”, tha një zyrtar i lartë i administratës së zotit Biden.

Pse u vendosën masat e reja?

Gjatë një takimi me gazetarët, zyrtarë të administrates Biden i përligjën masat e reja me fluksit të lartë të emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë gjatë dy vitevete të fundit.

Sipas zyrtarëve kufitarë, kalimet e paligjshme në kufirin SHBA-Meksikë arritën në 8700 persona në ditë, në tre ditët e fundit. Në mars, numri mesatar i kalimeve ishte 5000 në ditë.

Sipas zyrtarëve, nëse nuk zbatohen mesat e reja, pas skadimit të kufizimeve lidhur me pandeminë, numri mesatar i kalimeve mund të arrijë në 13,000.

Zyrtarët i cilësuan rregullat e reja si vazhdim të përpjekjeve shumëpalëshe për të menaxhuar migracionin në rajon, ndërsa ata inkurajojnë migrantët të hyjnë në vend përmes rrugëve ligjore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat