Gjenerali amerikan, Mark Milley: Duhet të përshpejtohet dërgimi i armëve në Tajvan

Bota

Gjenerali amerikan, Mark Milley: Duhet të përshpejtohet dërgimi i armëve në Tajvan

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 15:11
Mark Milley

Gjenerali amerikan, Mark Milley tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të përshpejtojnë dërgimin e armëve në Tajvan për të ndihmuar ishullin të mbrohet.

“Shpejtësia me të cilën ne, Shtetet e Bashkuara ose vendet e tjera, po ndihmojmë Tajvanin të përmirësojë aftësitë (e tyre) mbrojtëse, mendoj se duhet të përshpejtohet në vitet në vijim”, tha para gazetarëve gjenerali amerikan gjatë një vizite në Tokio.

Ai tha se tajvanezët kanë nevojë për armë të tilla si sistemet e mbrojtjes ajrore dhe ato që mund të synojnë anijet nga toka.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që ushtria e Tajvanit dhe aftësitë e tyre mbrojtëse të përmirësohen”, tha ushtaraku, raporton thewallstreetjournal.

Tajvani kohët e fundit është ankuar për vonesa në dorëzimin e armëve amerikane, si raketat anti-ajrore Stinger, sepse prodhuesit i drejtonin dërgesat në Ukrainë, ndërsa ajo lufton kundër pushtimit të forcave ruse.

Tajvani ka thënë se shpenzimet për mbrojtjen këtë vit do të fokusohen në përgatitjen e armëve dhe pajisjeve për një “bllokadë totale” të Kinës, duke përfshirë pjesë për luftëtarët F-16 dhe rimbushjen e armëve.

Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi më i rëndësishëm i armëve i Tajvanit ndërsa Pekini ka bërë thirrje vazhdimisht që t’i jepet fund shitjeve të armëve amerikane për tajvanezët, duke e parë atë si mbështetje të pajustifikuar për një ishull që Pekini pretendon se është nën juridiksionin e tij.

Kina, e cila pretendon Tajvanin si të sajën dhe kërcënon ta vendosë ishullin nën kontrollin e saj nëse është e nevojshme, ka rritur presionin ushtarak dhe diplomatik për të detyruar ishullin të pranojë sovranitetin kinez që kur presidenti Tsai mori detyrën në vitin 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat