Përafrimi Turqi-Egjipt ngjall shpresa për paqe në Lindjen e Mesme dhe Afrikë

Bota

Përafrimi Turqi-Egjipt ngjall shpresa për paqe në Lindjen e Mesme dhe Afrikë

Më: 21 korrik 2023 Në ora: 15:59
Foto nga vendi i ngjarjes

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Turqisë dhe Egjiptit në fillim të korrikut po rrit shpresat për paqe në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Stambolli, Dorian Jones, nënshkrimi edhe i kontratave me vlerë prej miliarda dollarësh mes Turqisë dhe vendeve aleate të Egjiptit, mund të sigurojë një afrim të ri mes dy vendeve dhe njëkohësisht të ulë rrezikun e një force destabilizuese në rajon.

Turqia dhe Egjipti kanë qenë të përfshirë në luftëra civile në Etiopi dhe Libi dhe analistët shpresojnë se rivendosja e lidhjeve të plota diplomatike midis Kajros dhe Ankarasë do të ndihmojë në zbutjen e tensioneve në rajonet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

“Kjo mund të ndikojë tek Egjipti, të paktën në lidhje me Etiopinë, sepse të dy vendet mbështesin palë kundërshtare të konfliktit atje. Mendoj se do të ishte pozitive edhe për Libinë, sepse të dyja palët mbështesin fraksione të ndryshme edhe në Libi. Mendoj se ky ngërç ka zgjatur shumë”, thotë Aya Burweila, analiste sigurie nga Libia.

Ndërhyrja ushtarake e Turqisë në mbështetje të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë kundër forcave të gjeneralit Khalifa Haftar, të mbështetura nga Egjipti, i çoi Turqinë dhe Egjiptin në prag të një përballjeje të drejtpërdrejtë. Tani, Ankaraja thotë se bashkëpunimi ekonomik me Kajron ofron një rrugë përpara.

Gjatë kohërave të tensionuara, ushtritë e Turqisë dhe Egjiptit pothuajse u gjendën ballë për ballë. Megjithatë, Turqia dhe Egjipti, para së gjithash, mund të ofrojnë siguri për energjinë dhe tregtinë energjetike. Së dyti, nëse ata bashkohen në Libi, duhet të jetë e dobishme si për Turqinë ashtu edhe për Libinë”, thotë Mesut Casin, këshilltar presidencial turk.

Por prania ushtarake turke në Libi mbetet një pengesë pasi Kajro kërkon largimin e saj.

Egjipti dëshiron të shohë veprime reale. Ata duan të shohin tërheqjen e trupave nga Libia. Ata duan tërheqjen e mercenarëve sirianë në Libi. Në këtë vend Egjipti ka një vijë të kuqe”, thotë Aya Burweila, analiste sigurie nga Libia.

Pasuria e madhe energjetike e Libisë ofron një shtysë të fuqishme për bashkëpunimin midis Turqisë dhe Egjiptit.

“Kjo ka të bëjë me kujdesin për Libinë dhe shmangien e situatave që përkeqësohen në një vend tjetër si Tunizia. Nëse në Çad krijohen probleme sepse situata atje është e brishtë nga lufta e Sudanit, mund të merret me mend që Turqia dhe Egjipti kanë afërsisht qëndrime të njëjta. E njëjta gjë me Sudanin; nuk ka gjithmonë reagime të menjëhershme për të qenë kundër tjetrit”, thotë Jalel Harchaoui nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara në Londër.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka nënshkruar kontrata me vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, të dyja aleate të Egjiptit.

Analistët thonë se marrëveshje të tilla do të ndihmojnë që në të ardhmen të ketë afrim të ri mes Turqisë dhe Egjiptit dhe rrjedhimisht të shmanget një forcë destabilizuese në rajon./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat