UNICEF: Më shumë se 230 milionë gra dhe vajza i janë nënshtruar gjymtimit gjenital

Bota

UNICEF: Më shumë se 230 milionë gra dhe vajza i janë nënshtruar gjymtimit gjenital

Më: 8 mars 2024 Në ora: 12:24
Logoja e UNICEF-it në Moldavi. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Më shumë se 230 milionë gra dhe vajza i janë nënshkruar gjymtimit gjenital femëror, shumica prej të cilave jetojnë në Afrikë, u tha në një raport të publikuar më 8 mars nga Agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF).

Në të paktën tetë vjetët e fundit, afër 30 milionë persona i janë nënshtruar kësaj procedure, përmes së cilës organet gjenitale të jashtme hiqen pjesërisht apo plotësisht, u tha në raportim e UNICEF-it që u publikua në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Përqindja e grave dhe vajzave që përjetojnë gjymtim gjenital është në rënie, tha UNICEF. Por, kjo agjenci paralajmëroi se përpjekjet për ta zhdukur këtë praktikë janë shumë të ngadalshme duke pasur parasysh rritjen me shpejtësi të popullsisë.

“Praktika e gjymtimit gjenital femëror po bie, por jo me shpejtësinë e duhur”, u tha në raport.

Praktika, që gabimisht besohet se kontrollon seksualitetin e grave, mund të shkaktojë gjakderdhje të madhe dhe madje edhe vdekje. Subjekt i kësaj procedure janë vajzat nga mosha të ndryshme, duke nisur nga koha kur ato janë foshnja e deri në adoleshencë.

Në aspektin afatgjatë, një praktikë e tillë mund të çojë tek infeksionet e traktit urinar, probleme me ciklin menstrual, ulje të kënaqësisë seksuale dhe ndërlikime gjatë lindjeve, por mund të shkaktojë edhe depresion, vetëbesim të ulët dhe sëmundjen e stresit post-traumatik.

Sipas raportit të UNICEF-it, afër 144 milionë gra dhe vajza i janë nënshtruar gjymtimit gjenital vetëm në Afrikë, pasuar nga Azia dhe Lindja e Mesme me 80 milionë, respektivisht 6 milionë. Somalia është në krye të listës së shtetet ku kjo praktikë është mbizotëruese me 99 për qind të popullatës femërore nga mosha 15 deri në 49 vjeç që i janë nënshkruar kësaj procedure.

Ndërkaq, Burkina Faso ka shënuar përparimin më të madh, pasi në tri dekadat e fundit kjo praktikë është ulur nga 80 për qind në 30 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat