Talebanët kanë thënë se rregullat që kanë sjellë që nga viti 2021 janë pranuar në shoqërinë afgane dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë "ligjet islame, traditat dhe vlerat e shoqërive myslimane".
Ata kanë justifikuar disa nga kufizimet që u kanë vendosur grave, siç është dekreti që thotë se zëri i një gruaje nuk duhet të dëgjohet jashtë shtëpisë, duke thënë se këto janë futur në përputhje me ligjin islam, të njohur si Sheriat.
Megjithatë, ata kanë premtuar vazhdimisht se vajzat adoleshente do të riktheheshin në shkollë sapo të zgjidheshin disa çështje – përfshirë sigurimin që kurrikula të ishte "islame". Kjo ende nuk ka ndodhur. Ndërsa gratë dhe vajzat janë zyrtarisht të ndaluara të ndjekin shkollën në Afganistan pas moshës 12 vjeç, disa po i sfidojnë autoritetet talebane duke vazhduar arsimin e tyre në fshehtësi, raporton BBC News.
E krijuar dhe kryesisht e menaxhuar nga grate, këto shkolla të fshehta ofrojnë mësime online dhe me prani fizike për ata që kanë guximin të marrin pjesë. Gazetarja afgane e BBC-së, Sana Safi, vizitoi dy prej tyre në vitin 2023.
Ndërkohë, Radio Begum dhe kanali i saj satelitor motër, Begum TV, kanë transmetuar programe që mbulojnë kurrikulën shkollore afgane për ata mbi 11 vjeç.
Radio Begum njoftoi në shkurt se ishte pezulluar dhe dy nga punonjësit e saj u arrestuan, por qeveria talebane më vonë tha se mund të rifillonte transmetimet e saj. BBC gjithashtu drejton programin BBC Dars për fëmijët që u është ndaluar të shkojnë në shkollë.