Armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës! Pas bisedës me Putinin, Trump jep detajet

Bota

Armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës! Pas bisedës me Putinin, Trump jep detajet

Më: 18 mars 2025 Në ora: 18:36 Përditësuar në ora: 20:13 më 18.03.2025
Donald Trump, Vladimir Putin

Trump: Kemi rënë dakord të lëvizim shpejt drejt ‘armëpushimit të plotë’ në Ukrainë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka dhënë detaje të tjera rreth bisedës telefonike me homologun rus, Vladimir Putin.

“Biseda ime telefonike sot me presidentin Putin të Rusisë ishte një bisedë shumë e mirë dhe produktive”, tha ai.

“U pajtuam për një armëpushim të menjëhershëm në të gjithë energjetikën dhe infrastrukturë, me një mirëkuptim që do të punojmë shpejt për të arritur një armëpushim të plotë dhe, në fund, për të përfunduar këtë luftë shumë të tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi 78-vjeçar në Truth Social.

Tani presidenti amerikan do të duhet të punojë që Ukraina të pajtohet me ndërprerjen 30-ditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Trump gjithashtu përsëriti pohimet se lufta nuk do të kishte filluar kurrë nën drejtimin e tij.

“Shumë elementë të një kontrate për paqen u diskutuan, përfshirë faktin që mijëra ushtarë po vriten, dhe si presidenti Putin ashtu edhe presidenti Zelensky do të donin ta shihnin atë të përfundojë. Ky proces tani është në fuqi dhe efekt të plotë, dhe ne do ta përfundojmë këtë punë, shpresojmë, për hir të njerëzimit!”, përfundoi ai.

Ndryshe, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deri më tani nuk ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit ndërsa ndodhet në një vizitë në Finlandë.

Udhëheqësit evropianë mirëpresin 'hapin e parë' drejt armëpushimit, përsërisin thirrjet që Ukraina të jetë pjesë e bisedimeve

Nga: A.Sh

Ne po fillojmë të marrim reagime nga liderët evropianë ndaj armëpushimit shumë të kufizuar të rënë dakord gjatë telefonatës Trump-Putin, duke pohuar se duhet të pasojë një armëpushim total – dhe nuk duhet të ketë vendime pa Ukrainën dhe mbi kokën e Ukrainës.

Në një konferencë shtypi në Berlin me presidentin francez Emmanuel Macron, Olaf Scholz, kancelari gjerman në largim, tha se ndërsa marrëveshja për t'i dhënë fund sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës është "një fillim i mirë" dhe një hap i parë i rëndësishëm, "nuk mund të ketë një marrëveshje pa Ukrainën".

Hapi tjetër duhet të jetë një armëpushim i plotë për Ukrainën dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Sigurisht, është e qartë se të dy jemi dakord edhe për këtë.

Macron i bëri jehonë nevojës për përfshirje të Ukrainës.

Ne kemi promovuar paqen që nga dita e parë dhe kjo nuk mund të arrihet pa marrë pjesë në bisedime Ukraina.

Gjatë bisedës me Trumpin, Putin pajtohet që të ndalë sulmet ndaj sektorit të energjisë në Ukrainë

Gjatë bisedës telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, është pajtuar që të ndalë sulmet ndaj sektorit të energjisë të Ukrainës dhe infrastrukturës për 30 ditë, si një hap drejt arritjes së një armëpushimi të plotë.

Sipas njoftimeve për telefonatën e zhvilluar më 18 mars – që zgjati mbi 90 minuta – nga Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë u tha se janë të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe afatgjatë me qëllim që t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

“Udhëheqësit janë pajtuar se lëvizja drejt paqes të fillojë me një armëpushim për energjinë dhe infrastrukturën, por edhe negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme. Këto negociata do të nisin menjëherë në Lindjen e Mesme”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Në njoftimin e lëshuar nga Kremlini lidhur me bisedën, që u karakterizua si “e detajuar dhe këmbim i sinqertë i pikëpamjeve, u tha se Putini “paraqiti një sërë pikash të rëndësishme lidhur me sigurimin e kontrollit efektiv mbi një armëpushim të mundshëm përgjatë vijës së frontit, nevojën për të ndaluar mobilizimin e detyruar në Ukrainë dhe riarmatosjen e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

“U theksua se kushti kyç për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të punuar drejt zgjidhjes së tij përmes mjeteve politike dhe diplomatike duhet të jetë ndalimi i plotë i ndihmës së huaj ushtarake dhe i ndarjes së informacioneve të inteligjencës me Kievin”, tha Kremlini.

Kremlini, megjithatë, tha se bisedimet e paqes “duhet të marrin parasysh nevojën absolute për të eliminuar shkaqet thelbësore të krizës dhe interesat legjitime të Rusisë në zonën e sigurisë”.

Ende nuk ka një koment nga Ukraina lidhur me rezultatin e bisedës mes Trumpit dhe Putinit.

Paraprakisht, Trump kishte deklaruar se ka një mundësi të mirë për t'i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë.

Kur u pyet më 16 mars lidhur me koncesionet e mundshme që mund të kërkohet për t’u arritur një armëpushim, Trump tha se “ne do të flasim për territorin. Do të flasim për centralet elektrike”.

“Mendoj se për shumë gjëra veçse kemi diskutuar me të dyja palët, Ukrainën dhe Rusinë”, shtoi ai.

Trump e ka bërë prioritet kryesor në nisje të mandatit të tij të dytë presidencial arritjen e një armëpushimi në luftën trevjeçare në Ukrainë.

Pas bisedimeve në Arabinë Saudite, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë njoftuan më 11 mars se Kievi ishte pajtuar për një propozim lidhur me një armëpushim 30-ditor.

Moska deri më tani ka reaguar ftohtë lidhur me këtë ide, teksa Putini ka sugjeruar për kushte shtesë, përfshirë ngrirjen e dërgesave të armëve amerikane për Kievin.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë rus th se Moska do të insistojë që Ukrainës të mos i lejohet të anëtarësohet në NATO dhe të mbetet “neutrale” në çdo marrëveshje të mundshme të paqes, kushte që Kievi për një kohë të gjatë i ka refuzuar.

Një nga arsyet e para që Kremlini kishte përdorur për të justifikuar pushtimin e Ukrainës, që nisi më 2022, vazhdon të jetë një nga kërkesat kryesore të Kievit: Anëtarësimi në NATO.

Më 14 mars, Putin tha se çdo marrëveshje duhet të çojë në paqe afatgjatë dhe të adresojë arsyet “thelbësore” për nisjen e luftës – referencë për zgjerimin e NATO-s dhe zhvillime të tjera që Putin pretendon se e kanë vënë në rrezik sigurinë e Rusisë.

Në deklaratat e publikuara më 17 mars, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Aleksandr Grushk, tha për të përditshmen ruse, Izvestia se “ne do të kërkojmë që garanci të forta të sigurisë të bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje”.

“Pjesë e këtyre garancive duhet të jetë edhe statusi neutral i Ukrainës, refuzimi i shteteve të NATO-s që ta pranojnë në aleancë”, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensy, shpesh ka shprehur qëndrimin se që Kievi të pranojë ndonjë marrëveshjes të paqes, ajo duhet të shoqërohet me garanci të sigurisë për Ukrainën nga partnerët e saj perëndimor, përfshirë që një ditë Kievi të bëhet pjesë e NATO-s.

“Kam insistuar për [anëtarësimin e Ukrainës në] NATO, por e dini se cilat kanë qenë përgjigjet”, tha ai në shkurt, duke sugjeruar se rruga për t'u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore mbetet e bllokuar.

Më 16 mars, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në një intervistë për CBS se një marrëveshje përfundimtare për paqe “do të kërkojë shumë punë të vështirë, koncesione nga të dyja palët, nga Rusia dhe Ukraina”, duke shtuar se do të ishte e vështirë të fillonin bisedime të tilla “derisa ata po qëllojnë njëri-tjetrin”../Rel

Shtëpia e Bardhë: Trump dhe Putin ranë dakord për armëpushim në Ukrainë

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu rus, Vladimir Putin kanë realizuar një bisedë telefonike, ku raportohet se është rënë dakord për disa gjëra rreth luftës në Ukrainë dhe zhvillimeve botërore.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se udhëheqësit ranë dakord që lëvizja drejt paqes do të fillojë me një armëpushim për energjinë dhe infrastrukturën.

Ata gjithashtu ranë dakord për negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme.

“Këto negociata do të fillojnë menjëherë në Lindjen e Mesme”, shtohet në përmbledhje.

Në një mesazh në platformën X, Leavitt thotë se të dy liderët “folën për nevojën për paqe dhe armëpushim në luftën e Ukrainës”.

“Dy udhëheqësit ranë dakord se ky konflikt duhet të mbyllet me një paqe të qëndrueshme”, shkruan në deklaratë, duke shtuar se të dyja palët shpresojnë për marrëdhënie më të mira midis SHBA-së dhe Rusisë.

“Gjakut dhe pasurisë që Ukraina dhe Rusia kanë shpenzuar në këtë luftë, do të ishte më mirë të shpenzoheshin për nevojat e popujve të tyre”, shtohet më tej.

“Ky konflikt nuk duhet të kishte nisur kurrë dhe duhej të ishte mbyllur prej kohësh me përpjekje të sinqerta dhe me mirëbesim për paqe”, thuhet më tutje.

Dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu përfundimin e përhapjes së armëve strategjike dhe tensioneve midis Izraelit dhe Iranit.

“Dy udhëheqësit ranë dakord se një të ardhme me një marrëdhënie të përmirësuar dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ka përfitime të mëdha. Kjo përfshin marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik kur të arrihet paqja”, përfundoi deklarata.

Ndryshe, bisedimet e paqes sipas liderëve, do të vazhdojnë të mbahen në vendet e Lindjes së Mesme. 

Pas telefonatës me Trump, Putin urdhëron ushtrinë të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase

Nga: A.Sh

Vladimir Putin ka rënë dakord të ndalojë sulmet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, raportojnë mediat shtetërore ruse.

Ata thonë se Putin ka urdhëruar ushtrinë që të ndalojë sulmet në ato objektiva për 30 ditë pas bisedimeve me Donald Trump.

CNN: Telefonata Trump-Putin ka shkuar “shumë mirë”

Biseda telefonike e presidentit rus Vladimir Putin me presidentin amerikan Donald Trump shkoi “shumë mirë”, tha një burim rus me njohuri për thirrjen për CNN.

Thirrja tani ka përfunduar, konfirmoi burimi.

I dërguari special i Putinit, Kirill Dmitriev, tha në një postim në X se “bota është bërë një vend shumë më i sigurt sot” për shkak të udhëheqjes së Putinit dhe Trumpit. Kremlini nuk ka lëshuar ende një koment zyrtar mbi telefonatën.

Më herët, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, tha se telefonata “po shkonte mirë” në një postim në mediat sociale.

Trump dhe Putin bisedojnë për një armëpushim të mundshëm për luftën në Ukrainë

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë biseduar për më shumë se 90 minuta, teksa dy liderët po synojnë të lëvizin përpara me një armëpushim në luftën në Ukrainë, konflikt që ka dërmuar të dyja palët në aspektin e ushtarëve dhe burimeve.

Mediat amerikane, NBC dhe CBS, duke u thirrur në burime, raportuan se biseda telefonike e 18 marsit ka përfunduar, ndërkaq agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili konfirmoi se dy udhëheqësit përfunduan diskutimin e tyre.

Ende nuk ka detaje lidhur me përmbajtjen apo rezultatin e bisedës, por Peskov u tha gazetarëve në Moskë më herët gjatë ditës se në bisedë do të trajtoheshin “një numër i madh çështjesh” që kanë të bëjnë me raportet SHBA-Rusi, por edhe për luftën në Ukrainë.

“Ne duam të shohim nëse mund t’i japim fund luftës. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se kemi një mundësi të mirë”, tha Trump më 16 mars, kur njoftoi se do të bisedonte me Putinin.

Kur u pyet lidhur me koncesionet e mundshme që mund të kërkohet për t’u arritur një armëpushim, Trump tha se “ne do të flasim për territorin. Do të flasim për centralet elektrike”.

“Mendoj se për shumë gjëra veçse kemi diskutuar me të dyja palët, Ukrainën dhe Rusinë”, shtoi ai.

Trump e ka bërë prioritet kryesor në nisje të mandatit të tij të dytë presidencial arritjen e një armëpushimi në luftën trevjeçare në Ukrainë.

Pas bisedimeve në Arabinë Saudite, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë njoftuan më 11 mars se Kievi ishte pajtuar për një propozim lidhur me një armëpushim 30-ditor.

Moska deri më tani ka reaguar ftohtë lidhur me këtë ide, teksa Putini ka sugjeruar për kushte shtesë, përfshirë ngrirjen e dërgesave të armëve amerikane për Kievin.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë rus th se Moska do të insistojë që Ukrainës të mos i lejohet të anëtarësohet në NATO dhe të mbetet “neutrale” në çdo marrëveshje të mundshme të paqes, kushte që Kievi për një kohë të gjatë i ka refuzuar.

Një nga arsyet e para që Kremlini kishte përdorur për të justifikuar pushtimin e Ukrainës, që nisi më 2022, vazhdon të jetë një nga kërkesat kryesore të Kievit: Anëtarësimi në NATO.

Më 14 mars, Putin tha se çdo marrëveshje duhet të çojë në paqe afatgjatë dhe të adresojë arsyet “thelbësore” për nisjen e luftës – referencë për zgjerimin e NATO-s dhe zhvillime të tjera që Putin pretendon se e kanë vënë në rrezik sigurinë e Rusisë.

Në deklaratat e publikuara më 17 mars, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Aleksandr Grushk, tha për të përditshmen ruse, Izvestia se “ne do të kërkojmë që garanci të forta të sigurisë të bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje”.

“Pjesë e këtyre garancive duhet të jetë edhe statusi neutral i Ukrainës, refuzimi i shteteve të NATO-s që ta pranojnë në aleancë”, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensy, shpesh ka shprehur qëndrimin se që Kievi të pranojë ndonjë marrëveshjes të paqes, ajo duhet të shoqërohet me garanci të sigurisë për Ukrainën nga partnerët e saj perëndimor, përfshirë që një ditë Kievi të bëhet pjesë e NATO-s.

“Kam insistuar për [anëtarësimin e Ukrainës në] NATO, por e dini se cilat kanë qenë përgjigjet”, tha ai në shkurt, duke sugjeruar se rruga për t'u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore mbetet e bllokuar.

Më 16 mars, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në një intervistë për CBS se një marrëveshje përfundimtare për paqe “do të kërkojë shumë punë të vështirë, koncesione nga të dyja palët, nga Rusia dhe Ukraina”, duke shtuar se do të ishte e vështirë të fillonin bisedime të tilla “derisa ata po qëllojnë njëri-tjetrin”./Rel

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat