Trump thotë se zhvilloi "bisedë shumë të mirë" telefonike me Zelenskyn

Bota

Trump thotë se zhvilloi "bisedë shumë të mirë" telefonike me Zelenskyn

Më: 19 mars 2025 Në ora: 18:54
Presidenti amerikan Donald Trump (djathtas) me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fotografi nga arkivi.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë të ditur të mërkurën se ka zhvilluar një bisedë “ shumë të mirë” telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensly, e cila ka zgjatur rreth një orë.

“Pjesa më e madhe e diskutimit është bazuar në thirrjen që është zhvilluar një ditë më parë me presidentin [rus, Vladimir] Putin, me qëllim të afrimit të Rusisë dhe Ukrainës sa u përket kërkesave dhe nevojave”, ka thënë Trump përmes një postimi në platformën e tij Truth Social.

Trump ka thënë se palët janë duke shkuar drejt një rruge të përbashkët, dhe që i ka kërkuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Michael Waltz që të bëjnë një përshkrim të duhur të pikave që janë diskutuar.

Biseda e së mërkurës ka qenë e para mes Trumpit dhe Zelenskyt prej takimit të tyre në Zyrën Ovale, më 28 shkurt, që nuk ka përfunduar në mënyrën më të mirë.

Biseda e tyre më 19 mars është zhvilluar pas thirrjes telefonike që ka zhvilluar të martën Trumpi dhe Putini.

Putini e ka refuzuar propozimin për armëpushim 30-ditor, i cili është shtyrë përpara nga Trumpi dhe paraprakisht është pranuar nga Ukraina.

Megjithatë, Putini është pajtuar për t’i pezulluar vetëm sulmet në infrastrukturën e energjisë.

Rusia dhe Ukraina e kanë akuzuar njëra-tjetrën më herët gjatë ditës për shkelje të marrëveshjes së re.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat