Komisioni Evropian do të miratojë kundërmasa javën e ardhshme në përgjigje të tarifave amerikane për importet e aluminit dhe çelikut, ndërsa përgjigja ndaj vendosjes së tarifave për makinat dhe tarifave 20 për qind për një numër të madh produktesh do të vijë pas analizave dhe konsultimeve me shtetet anëtare.
Më 2 prill, presidenti i SHBA-së Donald Trump vendosi tarifa ndaj 185 vende të botës, në mesin e tyre edhe Kosovën prej 10 për qind për të gjithë.
Një pjesë e tarifave ka hyrë në fuqi më 5 prill, ndërsa të tjerat më 9 prill. Ai vendosi tarifa 20 për qind për BE dhe 34 për qind për Kinën. Mbetet e paqartë nëse tarifat e shpallura do të mbeten të përhershme apo janë pjesë e një taktike për të fituar koncesione, transmeton KosovaPress.
Ish-sekretari amerikan i Thesarit, Larry Summers, thotë se inflacioni më i lartë është "pothuajse i pashmangshëm" nën urdhrin e ri tregtar të Trump.
"Kjo është plaga më e madhe e vetëshkaktuar që i kemi shkaktuar ndonjëherë ekonomisë sonë," tha ai për ABC News.
Ai vlerëson se humbja e ekonomisë amerikane nga tarifat do të jetë e krahasueshme me një dyfishim të çmimit të naftës, duke shtuar: “Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë më parë”.
Summers thotë: "Nuk ka njeri që nuk punon për presidentin që nuk mendon se kjo është një ide e mirë."
Sekretarja amerikane e Bujqësisë Brooke Rollins tha për CNN se "tregjet po përshtaten" me tarifat e vendosura nga Trump, pas rënies së fortë të së premtes, kur të tri indekset kryesore të aksioneve amerikane ranë më shumë se 5%, duke shënuar javën më të keqe për tregun e aksioneve amerikane që nga viti 2020.
Rollins shtoi se janë 50 vende që telefonojnë Shtëpinë e Bardhë gjatë gjithë kohës.
"Tani për tani, ne kemi vetëm dy ditë pune në këtë rend të ri amerikan, kështu që mendoj se ka shumë më tepër për të ardhur."
Pse nuk u futën tarifat në Rusi?
Tarifat e reja të Donald Trump zbatohen pothuajse për çdo vend të botës. Por jo për Rusinë. Rusia e sheh këtë si një "sinjal të rëndësishëm" drejt përmirësimit të marrëdhënieve me SHBA-në, shkruan BBC.
Megjithatë, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar Kevin Hassett tha për ABC News se "nuk ishte e përshtatshme" të vendoseshin tarifa të reja ndaj Rusisë ndërkohë që negociatat për luftën në Ukrainë po vazhdojnë.
Ai la të kuptohet gjithashtu se Shtëpia e Bardhë nuk e ka përjashtuar vendosjen e tarifave ndaj Rusisë në një moment të mëvonshëm.
"Unë mendoj se presidenti vendosi të mos përziejë dy çështjet," tha Hassett. "Kjo nuk do të thotë se Rusia, me kalimin e kohës, do të trajtohet dukshëm ndryshe nga vendet e tjera."
Sekretari i Thesarit Scott Bessent thotë se ai nuk sheh "asnjë arsye" për të pritur një recesion si rezultat i tarifave të Trump.
"Unë mendoj se ne mund të shohim nga numërimi i të premtes, i cili ishte shumë mbi pritjet, se ne po ecim përpara," tha ai për NBC.
Bessent gjithashtu minimizon rënien e fundit të bursës pas shpalljes së tarifave, duke e quajtur atë një reagim "afatshkurtër".
Më shumë se 50 vende i janë drejtuar Shtëpisë së Bardhë për të filluar bisedimet tregtare pasi Trump shpalli tarifat, sipas drejtorit të Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë.
"Ata po e bëjnë këtë sepse e kuptojnë se po mbajnë një pjesë të madhe të barrës së atyre tarifave," tha Kevin Hassett për ABC News.
Hassett thotë se mund të ketë "disa rritje çmimesh" për shkak të tarifave të reja, por ai nuk beson se do të jetë një "barrë e madhe" për konsumatorët amerikanë.
Ai tha gjithashtu se njoftimi i Trump nuk ishte pjesë e një plani për të bërë presion ndaj bankës qendrore të SHBA për të ulur normat e interesit duke tronditur tregun.
Kjo vjen pasi Trump tha në fillim të kësaj jave se tani do të ishte "koha e përsosur" që banka qendrore të ulë normat e interesit.
"Ai nuk po përpiqet të rrëzojë tregun, ai po përpiqet të përmbushë premtimet e tij ndaj punëtorëve amerikanë," thotë Hassett.
Udhëheqësi vietnamez To Lam i kërkoi Trump të shtyjë vendosjen e tarifave të reja për eksportet vietnameze në SHBA për "të paktën 45 ditë". Trump vendosi një tarifë 46% për mallrat vietnameze që hyjnë në SHBA - norma e gjashtë më e lartë e shpallur të mërkurën.
Në letër, To Lam i bëri thirrje Trump të caktojë një përfaqësues për të punuar me zëvendëskryeministrin vietnamez Ho Duc Phoc për të zgjidhur çështjen. Ai gjithashtu shprehet se shpreson të ketë një takim personal me Trump në Uashington në fund të majit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po udhëton në Uashington për t'u takuar me Trump për bisedime mbi tarifat dhe çështje të tjera. Netanyahu u tha gazetarëve teksa hipte në aeroplan se ai ishte "lideri i parë ndërkombëtar që u takua me Trump" që nga vendosja e tarifave të reja.
Ai shtoi se kjo tregon lidhjen e tyre personale dhe lidhjen mes vendeve të tyre, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për momentin.
Kryeministri britanik Keir Starmer ka thënë se është i gatshëm të përdorë politikën industriale për të mbrojtur ekonominë britanike nga stuhia e sjellë nga vala e tarifave Trump.
Irani është ndër vendet e shënjestruara nga një tarifë e re prej 10 për qind amerikane e vendosur nga administrata Trump. Megjithatë, për shkak të tregtisë tashmë të kufizuar midis SHBA-së dhe Iranit, efekti i këtyre masave pritet të jetë minimal.
Tregtia midis dy vendeve ra në mënyrë drastike pas revolucionit iranian të vitit 1979. Në vitin 2024, tregtia totale vlerësohet në vetëm 100 milionë dollarë.
Eksportet nga Irani, kryesisht produkte ushqimore të specializuara, mezi i kaluan 170 mijë dollarët, ndërsa produktet amerikane, të dominuara nga farmaceutikët dhe produktet bujqësore, përbënin rreth 94 milionë dollarë eksporte.
Nuk dihet ende nëse vendet që importojnë naftë dhe karburant nga SHBA do të hakmerren me tarifat e tyre. Por duke pasur parasysh sanksionet e gjata që prekin eksportet e naftës të Iranit, Teherani nuk ka gjasa të përfitojë.
Qeveria e Indonezisë ka njoftuar se nuk do të hakmerret ndaj tarifave Trump, pasi presidenti aktual amerikan vendosi një tarifë shtesë prej 32 për qind për eksportet indoneziane në SHBA të mërkurën.
Në një deklaratë zyrtare, Ministrja e Çështjeve Ekonomike, Airlangga Hartarto tha se Xhakarta do të kërkojë zgjidhje përmes negociatave. Ndërsa, Kina i është kundërpërgjigjur Trump duke vendosur kundërtarifa prej 34 për qind.