SHBA dëshiron qasje në mineralet e Ukrainës, por nuk ofron garanci sigurie

Bota

SHBA dëshiron qasje në mineralet e Ukrainës, por nuk ofron garanci sigurie

Më: 13 prill 2025 Në ora: 16:50
Ilustrim

Zyrtarët e lartë amerikanë dhe ukrainas u takuan dje për të diskutuar një propozim të ri nga Uashingtoni që do t'i jepte Shteteve të Bashkuara qasje preferencial në burimet natyrore të Ukrainës, raportojnë mediat britanike, duke cituar një burim të njohur me bisedimet.

Sipas këtij burimi, versioni i ri i propozimit amerikan është më i gjerë se ai i mëparshmi dhe parashikon që të gjitha të ardhurat nga shfrytëzimi i lëndëve të para të Ukrainës, qofshin ato shtetërore apo private, të investohen në një fond investimi të përbashkët.

Megjithëse është një marrëveshje që potencialisht do t'i lejonte Ukrainës investime të konsiderueshme, propozimi nuk përfshin asnjë garanci sigurie për Kievin.

"Kuadri i negociatave është ngritur në mënyrë shumë antagoniste," tha një nga burimet.

Një zëdhënës i Departamentit të Thesarit të SHBA-së konfirmoi se bisedimet po zhvilloheshin, por i përshkroi ato si "të natyrës teknike".

Negociatat mbi burimet minerale të Ukrainës janë bërë, sipas burimeve amerikane dhe ukrainase, një pikë kyçe në negociatat për një zgjidhje të mundshme paqësore të luftës që kur Donald Trump mori detyrën për një mandat të dytë.

Trump tha më parë se ai kërkon të kthejë disa nga paratë që SHBA shpenzoi për të ndihmuar Ukrainën pas pushtimit rus në 2022.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte udhëtuar më parë në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet strategjike, por takimi me Trump përfundoi stuhishëm dhe u ndërpre, gjatë të cilit, sipas disa mediave, u folën fjalë të ashpra para kamerave dhe Zelenskyt iu kërkua të largohej nga Shtëpia e Bardhë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat