Negociatat Iran-SHBA, shtyhet për të shtunën raundi i dytë i bisedimeve

Bota

Negociatat Iran-SHBA, shtyhet për të shtunën raundi i dytë i bisedimeve

Më: 22 prill 2025 Në ora: 21:14
Ilustrim

Irani ka bërë të ditur se bisedimet mbi çështjet bërthamore të nivelit të ekspertëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillohen të shtunën në vend, ndryshe nga sa ishte parashikuar për t’u mbajtur ditën e nesërme.

“Bisedimet e nivelit të ekspertëve Iran-SHBA që duhej të zhvilloheshin të mërkurën do të zhvendosen për të shtunën”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmaeil Baghaei.

Raundi i dytë i bisedimeve mbi programin bërthamor të Teheranit mes ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi dhe të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të mbahen në Romë të cilat ndërmjetësohen nga Omani.

Takimi vjen një javë pasi të dy palët zhvilluan bisedime indirekte në Muskat. Ato ishin diskutimet e para në nivel të lartë mes dy vendeve që kur presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në mandatin e tij të parë në vitin 2018.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë akuzuar prej kohësh Iranin se kërkon të prodhojë armë bërthamore, një akuzë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht, duke këmbëngulur se programi i tij ka qëllime paqësore civile. Teherani dhe Uashingtoni nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike që pas revolucionit islamik të Iranit të vitit 1979.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat