Një politikan australian është shpallur fajtor për furnizim me drogë, pasi fillimisht e kishte mohuar një video ku shihej duke thithur një substancë të bardhë, duke e quajtur atë një “deepfake” (imazh i manipuluar), raporton BBC News.
Ish-udhëheqësi i Partisë Liberale të Australisë Jugore, David Speirs, u gjobit me 9,000 dollarë australianë dhe u urdhërua të kryejë 37.5 orë punë në komunitet nga një gjykatë në Adelaide të enjten.
Speirs u arrestua në shtator pasi një video ku shihej duke thithur nga një pjatë u publikua nga News Corp. Fillimisht ai mohoi akuzat dhe thuhet se i kishte thënë medias se videoja ishte një "deepfake" dhe se ai kurrë nuk kishte përdorur kokainë, shkruan BBC.
Megjithatë, më vonë pranoi se kjo ishte një gënjeshtër dhe skandali i pasuar, së bashku me akuzat, çuan në dorëheqjen e tij nga parlamenti. Muajin e kaluar, Speirs u deklarua fajtor për furnizim me kokainë ndaj dy personave në gusht.
Mbrojtja e Speirs deklaroi se ai kishte përdorur drogë "si një formë arratisjeje" nga stresi i punës, por shkeljet nuk kishin ndodhur gjatë ushtrimit të detyrës.
Rasti shkaktoi një vëmendje të madhe mediatike, me prokurorët që argumentuan se ishte në interesin publik për shkak të pozitës së lartë që Speirs mbante në politikë.
Avokati i tij kishte kërkuar më herët nga gjykata që të mos regjistrohej dënimi në mënyrë që klienti i tij të mund të udhëtonte jashtë vendit, por gjyqtari tha se shkeljet ishin "shumë serioze".
“Nevoja për dënim publik për këtë lloj shkeljeje dhe nevoja për parandalim të përgjithshëm është shumë e madhe për të mos regjistruar një dënim”, tha gjyqtari Brian Nitschke të enjten.
Nitschke e pranoi argumentin e mbrojtjes se shkeljet kishin ndodhur gjatë një periudhe stresi, por shtoi se ky "sigurisht nuk është justifikim".
Speirs mori postin e liderit të liberalëve të Australisë Jugore në vitin 2022 dhe kishte shërbyer për 10 vjet si anëtar i parlamentit. Ai nuk foli për mediat pas shqiptimit të dënimit.