Bisedimet bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të çojnë askund nëse Uashingtoni këmbëngul që Teherani të hedhë aktivitetin e tij të pasurimit të uraniumit në zero, ka paralajmëruar zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takhtravanchi.
Në një deklaratë të shpërndarë nga media shtetërore, Takhtravanchi është shprehur se: “Qëndrimi ynë për pasurimin është i qartë dhe ne kemi deklaruar vazhdimisht se është një arritje kombëtare nga e cila nuk do të tërhiqemi”.
Kjo ka ardhur pas një qëndrimi të përsëritur të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, i cili ka theksuar se çdo marrëveshje e re mes dy shteteve duhet të përfshijë një angazhim nga Irani për të ndaluar pasurimin e uraniumit, i cili është një hap i mundshëm drejt zhvillimit të armëve bërthamore.
Irani ka insistuar se programi i tij bërthamor ka qëllime të pastra paqësore.
Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, ka akuzuar SHBA-në se po e ndërlikon negociatën duke shprehur në publik mendime kontradiktore me ato që diskutohet në bisedimet private.
“Uashingtoni po i ndërlikon negociatat duke shprehur në publik pikëpamje të ndryshme nga ato që diskutohen privatisht gjatë bisedimeve”, ka thënë Baghaei.
Për më tepër, ai ka shtuar se, megjithë deklaratat kontradiktore nga SHBA, Irani vazhdon të marrë pjesë në bisedime dhe është i gatshëm të negociojë për një marrëveshje të mundshme. Po ashtu, palët presin që ndërmjetësi Oman të shpallë një rund të pestë bisedimesh.
Bisedimet vijnë pas një periudhe tensionesh, pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e cila kufizonte aktivitetet e pasurimit të Irani në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Presidenti amerikan Donald Trump e quajti atë marrëveshje njëanshme dhe e tërhoqi Shtetet e Bashkuara, duke rivendosur sanksione të forta ndaj Iranit, ndërsa Teherani reagoi duke rritur aktivitetet e pasurimit.