​19 të vrarë, ushtria kolumbiane bombardon kampin e dyshuar rebel

Bota

​19 të vrarë, ushtria kolumbiane bombardon kampin e dyshuar rebel

Më: 12 nëntor 2025 Në ora: 17:40
Presidenti Gustavo Petro

Të paktën 19 persona janë vrarë në një sulm ajror të ushtrisë kolumbiane ndaj një kampi të dyshuar rebel në provincën Guaviare, raporton BBC.

Sipas autoriteteve, shënjestra ishte një fraksion disident i grupit Farc, i përfshirë në trafikun e drogës. Presidenti Gustavo Petro, i cili më parë kishte shmangur përdorimin e sulmeve ajrore, e autorizoi operacionin pas dështimit të bisedimeve të paqes me disa grupe të armatosura.

Ministri i Mbrojtjes, Pedro Sanchez, tha se kampi i përkiste një grupi të udhëhequr nga Ivan Mordisco, ish-anëtar i Farc, i cili tani merret me miniera të paligjshme, zhvatje dhe trafik droge. Ai e përshkroi Mordiscon si “një nga kriminelët më të rrezikshëm në vend”.

Gjatë operacionit u arrestuan tre persona dhe u shpëtuan tre fëmijë të rekrutuar nga grupi. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar për rritjen e rekrutimit të fëmijëve në konfliktet e armatosura, duke dokumentuar se fëmijët aq të rinj sa nëntë vjeç, janë rrëmbyer ose tërhequr nga prindërit e tyre me premtime të rreme.

Petro, presidenti i parë i majtë në historinë e Kolumbisë, nisi bisedime paqeje me grupet e armatosura, por ato me grupin e Mordiscos dështuan pas gjashtë muajsh. Qeveria e fajëson atë për një sulm me eksploziv në Kali.

Pas sulmit, Petro e quajti Mordiscon “një trafikant droge të maskuar si revolucionar”. Ai është nën presion nga SHBA për të frenuar trafikun e kokainës. Muajin e kaluar, SHBA vendosi sanksione financiare ndaj tij, ndërsa Petro akuzoi Uashingtonin për “vrasje” pas sulmeve ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge.

Të martën, ai shprehu përsëri kundërshtimin e tij ndaj sulmeve të SHBA-së - në të cilat janë vrarë të paktën 76 persona dhe urdhëroi qeverinë e tij të pezullojë ndarjen e informacionit të inteligjencës me agjencitë e sigurisë amerikane.

“Lufta kundër drogës duhet t’u nënshtrohet të drejtave të njeriut të popujve të Karaibeve”, deklaroi Petro në X.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat