Izraeli ka vrarë zyrtarin kryesor ushtarak të grupit militant Hezbollah në sulmin ajror që ndodhi këtë të dielë, në një periferi jugore të Bejrutit, tha ushtria izraelite, pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të një vit më parë.
Sulmi, i pari në periferi të kryeqytetit libanez pas disa muajsh, kishte në shënjestër shefin e shtabit në detyrë të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, Ali Tabtabai.
Nuk pati konfirmim të menjëhershëm nga Hezbollah për vrasjen e tij, megjithëse zyrtari i lartë i grupit, Mahmoud Qmati, pohoi se një figurë qendrore e organizatës ishte shënjestruar.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se Izraeli nuk i kishte njoftuar paraprakisht SHBA-të për sulmin. Ai shtoi se administrata u informua menjëherë pas sulmit, ndërsa një tjetër zyrtar amerikan tha se SHBA-të kishin ditë që e dinin se Izraeli po planifikonte të intensifikonte sulmet në Liban.
Udhëheqësi kyç ushtarak i Hezbollahut
SHBA-të vendosën sanksione ndaj Ali Tabtabai në vitin 2016, duke e identifikuar si një udhëheqës kyç ushtarak të Hezbollahut dhe duke ofruar një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacion mbi të.
Sulmi i sotëm goditi një rrugë kryesore në periferi jugore të Bejrutit. Njerëzit dolën me nxitim nga ndërtesat e tyre nga frika se mund të kishte sulme të tjera, raportoi një gazetar i Reuters-it në zonë. Sulmi la 5 persona të vrarë dhe plagosën dhjetëra të tjerë.
Sulmet e Izraelit ndaj Hezbollahut gjatë dy viteve të fundit kanë vrarë udhëheqësin e atëhershëm Hassan Nasrallah, pjesën më të madhe të komandës ushtarake të grupit dhe rreth 5 mijë luftëtarë.
Netanyahu i tha kabinetit të tij të dielën në mëngjes, përpara sulmit, se Izraeli do të vazhdojë të luftojë “terrorizmin” në disa fronte.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të parandaluar Hezbollahun të rikthejë aftësinë për të na kërcënuar,” tha ai.
Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në jug të Libanit, duke shtyrë një fushatë me sulme pothuajse të përditshme, të cilat thotë se synojnë të pengojnë ringritjen ushtarake të Hezbollahut në zonën kufitare.
Izraeli e ka akuzuar Hezbollahun se po përpiqet të riarmatosej që nga armëpushimi i mbështetur nga SHBA-të vitin e kaluar. Grupi thotë se ka respektuar kërkesat për të përfunduar praninë e tij ushtarake në rajonin kufitar pranë Izraelit dhe për të lejuar ushtrinë libaneze të dislokohet atje.