Trump: Marrëveshje me Iranin, por pa armë bërthamore

Bota

Trump: Marrëveshje me Iranin, por pa armë bërthamore

Më: 11 shkurt 2026 Në ora: 11:24
Presidenti Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se beson që Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje të re me Uashingtonin lidhur me programin bërthamor dhe raketat balistike.

Në një intervistë për Fox News, Trump paralajmëroi gjithashtu për praninë e shtuar ushtarake amerikane në rajon.

“Siç e dini, kemi një flotilje të madhe që po shkon drejt Iranit tani. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Mendoj se ata duan të bëjnë një marrëveshje. Do të ishte marrëzi nëse nuk do ta bënin. Herën e kaluar shkatërruam kapacitetin e tyre bërthamor dhe do të shohim nëse do të godasim përsëri”, tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Presidenti amerikan shtoi se Teherani po komunikon drejtpërdrejt me të dhe se një marrëveshje do të ishte e mundur, por vetëm nëse do të ishte e favorshme për Shtetet e Bashkuara.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Nuk do të flisnin me askënd tjetër, por po flasin me mua. Unë do të preferoja një marrëveshje të mirë, pa armë bërthamore, pa raketa, pa të gjitha këto gjëra. Por disa shqetësohen sepse ata kanë qenë shumë të pandershëm me ne ndër vite. Marrëveshja bërthamore e Iranit ishte një nga marrëveshjet më të këqija që kam parë ndonjëherë”, tha Donald Trump.

Trump kritikoi sërish administratat e mëparshme të Barack Obama dhe Joe Biden, duke i akuzuar se “krijuan një përbindësh” me marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet rreth programit bërthamor iranian dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat