Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, është “thellësisht i shqetësuar” nga kërcënimet e fundit që lidhen me popullsinë civile, ka bërë të ditur zëdhënësi i tij.
Pa e përmendur drejtpërdrejt presidentin amerikan, deklaratat e zëdhënësit të Guterres, Stéphane Dujarric, vijnë pasi Donald Trump tha se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”, ndërsa afati që ai i ka vendosur Iranit po afrohet.
Dujarric tha se sekretari i përgjithshëm është i shqetësuar për komentet “që sugjerojnë se popullata të tëra civile apo qytetërime mund të mbajnë pasojat e vendimeve politike dhe ushtarake”.
Ai shtoi se nuk ka “asnjë objektiv ushtarak që justifikon shkatërrimin e plotë të infrastrukturës së një shoqërie” apo “shkaktimin e qëllimshëm të vuajtjes ndaj popullatave civile”.
Guterres gjithashtu beson se lufta mund të përfundojë “kur liderët zgjedhin dialogun në vend të shkatërrimit” – një zgjedhje që “ende ekziston”.