Afrimi i Donald Trumpit me Vladimir Putinin ka rikthyer frikën se Uashingtoni po e shtyn Ukrainën drejt kapitullimit, pa marrë parasysh pasojat. Të shqetësuara nga zhvillimet e fundit, vendet evropiane po përpiqen t’i rikthejnë negociatat e paqes në binarë.
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë prej kohësh kanë dyshuar se presidenti amerikan, Donald Trump, ka një prirje të veçantë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Megjithatë, zhvillimet e fundit po tregojnë se kjo afërsi mund të jetë shumë më e madhe nga sa kishin imagjinuar, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".
Në një varg zhvillimesh që kanë shkaktuar tronditje në Evropë, Trump është afruar me homologun e tij rus, ka arritur një marrëveshje për naftën dizel, ka ndërmarrë hapa për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe është dukur se po anashkalon një legjislacion ndëshkues që e kishte nënshkruar vetëm një muaj më parë.
Ndërkohë, sulmet e tij të përsëritura ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë marrë një ton edhe më të ashpër.
Kremlini, i cili prej kohësh shpreson në dobësimin e frontit perëndimor, e ka shfrytëzuar këtë situatë për të propozuar bashkëpunime të reja ekonomike dhe për të hedhur idenë e një samiti trepalësh mes Putinit, Trumpit dhe presidentit kinez, Xi Jinping.
Për Rusinë, ekonomia e së cilës po shfaq shenja vështirësish, një takim i tillë do t’i ofronte Putinit mundësinë për të fituar statusin e një fuqie të madhe botërore, të cilin prej kohësh synon ta rikthejë.
Trump ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur këtë ide.
Ndërkohë, në Ukrainë, kufizimet e papritura në përdorimin e Starlink, teknologjisë satelitore të kontrolluar nga Elon Musk, aleat i afërt i Trumpit, si dhe vonesat e pashpjeguara në dërgesat e armëve amerikane, kanë shtuar frikën se Uashingtoni po e dobëson Kievin në favor të Moskës.
“Negociatorët amerikanë janë përpjekur ta shtyjnë Ukrainën drejt dorëzimit për gati dy vjet”, deklaroi këtë javë shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, para Parlamentit Evropian.
“Arsyeja pse Ukraina nuk është dorëzuar sipas kushteve të Putinit është se Evropa e ka mbështetur atë”, shtoi ajo.
Deklaratat e Kallasit pasqyrojnë shqetësimet që e kanë shoqëruar Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë që nga rizgjedhja e Trumpit dhe që tani po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Frika kryesore është se, në përpjekjen e tij të vazhdueshme për të arritur një marrëveshje të madhe paqeje, që do t’i siguronte edhe një nominim të mundshëm për Çmimin Nobel për Paqe, Trump mund të jetë i gatshëm ta sakrifikojë Ukrainën.
“Askush nuk mund ta kuptojë plotësisht magjepsjen e Trumpit me Putinin. Ai po e ngre Putinin në një nivel shumë më të lartë sesa e meriton. Rusia ka një ekonomi me madhësinë e asaj të Italisë”, i tha Euronews-it një zyrtar i lartë evropian, në kushte anonimiteti.
“E gjithë kjo është jashtëzakonisht shqetësuese. Është e tmerrshme që dy ndërmjetës të pasurive të paluajtshme të ulen në negociata me Putinin, ku vendosin se duan ta ndajnë një shtet”, u shpreh ai.
Deklarata ishte një referencë ndaj të dërguarve të posaçëm amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët, ashtu si Trumpi, kanë ndërtuar pasurinë e tyre në sektorin e patundshmërive.
Të dy kanë shkaktuar shqetësim në Evropë pas raportimeve se kanë propozuar lirimin e aseteve të ngrira ruse dhe rifillimin e furnizimeve me gaz rus drejt Evropës, si pjesë e ofertave që mund të përdoren për të nxitur Moskën drejt një marrëveshjeje paqeje.
Qeveritë evropiane i kanë kundërshtuar të dyja idetë.
Witkoff u kritikua gjerësisht këtë javë pasi e përshkroi Putinin si një “humanist”. Vetëm disa orë më vonë, Rusia lëshoi 21 raketa balistike drejt Kievit, tri prej të cilave bartnin koka luftarake me municione thërrmuese, të projektuara për të shkaktuar sa më shumë viktima dhe dëme në mesin e civilëve.
“SHBA-ja vazhdon të përpiqet ta joshë Putinin me marrëveshje fitimprurëse, me kusht që ai ta largojë problemin e Ukrainës nga rruga. Por Putini tashmë është një nga njerëzit më të pasur në botë. Ajo që ai dëshiron është krijimi i një Rusie edhe më të madhe”, deklaroi zyrtari evropian.
Sipas tij, Evropa nuk është e përgatitur të veprojë në një mjedis ku gjithçka përcaktohet nga marrëveshjet e ashpra dhe interesat e drejtpërdrejta ekonomike.
Një tjetër zyrtar evropian i tha Euronews-it se deklaratat e Trumpit në favor të Rusisë janë “shqetësuese dhe zhgënjyese”, duke i lidhur ato edhe me presionin politik në rritje përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që mbahen muajin e ardhshëm.
Republikanët rrezikojnë të humbasin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, ndërsa pakënaqësia e votuesve ndaj Trumpit po rritet dhe çmimet e larta të energjisë po rëndojnë mbi qytetarët amerikanë.
Trump ka tentuar ta largojë përgjegjësinë nga vetja duke fajësuar sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës për çrregullimet në tregun energjetik. Megjithatë, ekspertët e energjisë e identifikojnë luftën e SHBA-së kundër Iranit si faktorin kryesor që po ndikon në tregjet globale të naftës.
“Deri në zgjedhjet e mesmandatit, është e vështirë të nxirren përfundime të qëndrueshme nga deklaratat e tij. Mendoj se duhet të ruajmë qetësinë deri atëherë”, tha zyrtari.
Ai pranoi se kjo është shumë më e vështirë për Ukrainën, por shtoi se nuk beson që vendi është në prag të kolapsit.
Një fitore e demokratëve do ta kufizonte agjendën e brendshme të Trumpit, por ndikimi i saj në politikën e jashtme amerikane mbetet i paqartë. Zhvillimet e fundit tregojnë se presidenti amerikan ka hapësirë të konsiderueshme për të ndryshuar qëndrimin e Uashingtonit në arenën ndërkombëtare.
Përçmimi i Trumpit ndaj Evropës dhe afrimi i tij me Rusinë, sipas zyrtarëve evropianë, nuk janë dukuri të reja dhe i paraprijnë ciklit aktual zgjedhor.
“Ekziston një bindje e qartë mes nesh se tani është edhe më e rëndësishme ta mbështesim Ukrainën”, deklaroi një diplomat i lartë evropian.
Ai shprehu dyshime se situata do të përmirësohet pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, pavarësisht shpresave të disa optimistëve.
Trump kundër Zelenskyt
Presioni amerikan ndaj Ukrainës është rritur prej të paktën një viti.
Në nëntor të vitit 2025, një propozim paqeje me 28 pika, i mbështetur nga SHBA-ja dhe që, sipas raportimeve, ishte hartuar fillimisht në Moskë përpara se t’i dorëzohej Uashingtonit, parashikonte që Ukraina të hiqte dorë nga territore, të kufizonte madhësinë e forcave të saj të armatosura dhe të hiqte dorë përgjithmonë nga anëtarësimi në NATO.
Qeveritë evropiane reaguan shpejt dhe u bashkuan në përpjekje për t’i ndryshuar propozimet, për të cilat paralajmëruan se do ta linin Ukrainën të pambrojtur përballë një agresioni të ri rus.
Që atëherë, përplasjet nuk kanë të bëjnë vetëm me kushtet e mundshme të paqes, por edhe me kapacitetet ushtarake që i nevojiten Ukrainës për të mbrojtur veten.
Kievi e ka akuzuar Uashingtonin për vonesa në dërgesat e raketave interceptuese Patriot, të financuara nga aleatët evropianë, për ndërprerjen e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës mbi raketat balistike ruse dhe për kufizimin e qasjes në komunikimet satelitore.
Zyrtarët ukrainas besojnë se këto masa synojnë ta detyrojnë presidentin Zelensky të pranojë një marrëveshje më të favorshme për Moskën.
Shtëpia e Bardhë i ka mohuar pretendimet se kufizimet janë vendosur për arsye politike. Zyrtarët amerikanë kanë mohuar gjithashtu raportimet se Witkoff dhe Kushner kanë kërcënuar me ndërprerjen e mbështetjes ushtarake dhe të inteligjencës, nëse Kievi nuk bën lëshime.
Pasojat mund të jenë fatale për Ukrainën. Raketat Patriot janë ndër sistemet kryesore të mbrojtjes kundër raketave balistike ruse, ndërsa informacionet e inteligjencës amerikane ofrojnë paralajmërime jetike për sulmet e mundshme. Sistemi i paralajmërimit të hershëm është rikthyer më pas në funksion.
“Pa Amerikën, gjërat do të ishin shumë më të vështira për ne”, u tha Zelensky senatorëve amerikanë.
Në mesin e shtatorit, burime nga qeveria ukrainase i thanë Euronews-it se Uashingtoni nuk do t’i jepte Kievit licencë për prodhimin e raketave interceptuese Patriot, duke i mbyllur praktikisht rrugën synimit të Ukrainës për ta prodhuar këtë teknologji brenda vendit.
Kjo ndodhi pavarësisht premtimeve të mëparshme publike të Trumpit për t’i dhënë Ukrainës licencën përkatëse. Zelensky më vonë deklaroi se presidenti amerikan e kishte miratuar këtë hap, megjithëse një marrëveshje përfundimtare për licencimin nuk ishte konfirmuar zyrtarisht.
Mosmarrëveshja nxjerr në pah një dobësi të rëndësishme të Kievit: varësinë e vazhdueshme nga Uashingtoni, si për furnizimin me armë, ashtu edhe për mundësinë e prodhimit të teknologjive kritike ushtarake.
Presioni amerikan është shtrirë edhe te sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, të cilat kanë ulur kapacitetet eksportuese të Moskës dhe kanë goditur të ardhurat që përdoren për financimin e luftës.
Trump i ka kërkuar Kievit t’i ndalojë këto sulme. Fillimisht, Zelensky refuzoi, duke argumentuar se ato përbënin një nga mjetet më të fuqishme të Ukrainës për të ushtruar presion ndaj Rusisë.
Megjithatë, me përshkallëzimin e tensioneve me Trumpin, presidenti ukrainas ofroi pezullimin e sulmeve ndaj rafinerive për 30 ditë, në këmbim të furnizimit me raketa shtesë Patriot për mbrojtjen e qyteteve ukrainase nga sulmet balistike ruse.
Sipas raportimit, raketat Patriot nuk u dërguan.
Paralelisht, Trump ka intensifikuar sulmet personale ndaj presidentit ukrainas, duke kërkuar që Kievi të organizojë zgjedhje të reja dhe të caktojë “dikë tjetër” për të negociuar me Moskën.
Megjithatë, Kushtetuta e Ukrainës ndalon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës.
Kontrasti bëhet veçanërisht i dukshëm kur bëhet fjalë për legjitimitetin politik.
Në mars të vitit 2024, administrata amerikane e presidentit të atëhershëm Joe Biden e cilësoi procesin zgjedhor presidencial në Rusi si jo të lirë dhe jo të drejtë, duke përmendur përjashtimin e opozitës së vërtetë politike dhe votimin në territoret e pushtuara ukrainase.
Trumpi, megjithatë, nuk ka kërkuar zgjedhje të reja në Rusi dhe as ndryshim të udhëheqjes në Moskë. Përkundrazi, ai e ka ftuar Putinin të marrë pjesë në samitin e G20-s në dhjetor, një tjetër hap që ka shkaktuar shqetësim në Evropë.
Trump duket se nuk është i interesuar t’i kërkojë Rusisë lëshime të rëndësishme, duke e zhvendosur barrën e negociatave te Ukraina, të cilën e konsideron palën më të dobët.
Madje, Uashingtoni ka lehtësuar edhe sanksionet ndaj naftës dizel ruse, pa siguruar ndonjë ndryshim në sjelljen e Moskës.
“Le ta pranojmë: njëri kërkon para, ndërsa tjetri kërkon lavdi”, deklaroi një tjetër diplomat i lartë, duke e cilësuar të kotë përpjekjen e Trumpit për ta joshur Putinin me partneritete ekonomike, pasi të dy kanë objektiva që në fund bien ndesh me njëri-tjetrin.
Evropa përpiqet të ruajë ndikimin në negociata
Pavarësisht shqetësimit të madh, vendet evropiane nuk janë ende të gatshme të shkëputen nga SHBA-ja.
Pas muajsh përballjesh me deklaratat dhe vendimet e paparashikueshme të Trumpit, lidhur me tarifat, Grenlandën, Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe çështje të tjera, udhëheqësit evropianë kanë përshtatur qasjen e tyre ndaj presidentit amerikan.
Zyrtarët thonë privatisht se jo çdo deklaratë e tij në rrjetet sociale duhet të pasohet me një reagim publik.
Strategjia evropiane vazhdon të mbështetet në tri drejtime: mbështetjen e Ukrainës, ushtrimin e presionit ndaj Rusisë dhe ruajtjen e bashkëpunimit me SHBA-në.
Evropa synon ta ruajë vendin e saj në tryezën e negociatave, në mënyrë që të ndikojë sa më shumë në qëndrimin e Uashingtonit, edhe nëse kjo nënkupton përballjen me vështirësi dhe pranimin e kompromiseve të pakëndshme.
Një shembull i kësaj qasjeje u pa këtë javë.
Në momentin kur tensionet mes Trumpit dhe Zelenskyt rrezikonin të përshkallëzoheshin më tej, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre dhe presidenti finlandez Alexander Stubb organizuan me urgjencë një raund të ri bisedimesh për paqen në Oslo, përpara se i dërguari amerikan Witkoff të udhëtonte drejt Moskës.
“E kuptojmë plotësisht se ka pasur shumë zhurmë në hapësirën publike”, deklaroi Stubb, në një referencë të qartë ndaj përplasjeve të fundit.
“Nga përvoja ime, paqja kërkon durim. Por, për fat të keq, lufta nuk pret”, theksoi presidenti finlandez.
Për vendet evropiane, sfida mbetet gjetja e një ekuilibri mes ruajtjes së marrëdhënieve me Uashingtonin dhe garantimit që çdo marrëveshje e ardhshme të mos e lërë Ukrainën të pambrojtur përballë agresionit rus.