Zelensky konfirmon bisedimet trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në nëntor

Bota

Zelensky konfirmon bisedimet trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në nëntor

Nga: A.M. Më: 26 tetor 2026 Në ora: 08:00
Volodymyr Zelensky, Donald Trump

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar të dielën se gjatë muajit nëntor pritet të zhvillohet një takim trepalësh mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, me synimin për të rifilluar negociatat e ngecura për paqe.

Bisedimet synojnë t'i japin fund luftës së nisur nga pushtimi rus i Ukrainës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë, shkruan Euronews, transmeton “Bota sot”.

“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë. Nëse bëhet fjalë për çështje territoriale, ato duhet të trajtohen në nivel udhëheqësish. Çështjet e tjera janë në kompetencën e grupeve teknike. Prandaj, të gjitha këto mund të diskutohen në nëntor”, deklaroi Zelensky në një intervistë për televizionin ukrainas.

Mundësia e negociatave mes tri palëve, me qëllim përfundimin e luftës së zgjatur, është diskutuar vazhdimisht gjatë javëve të fundit.

Njoftimet e fundit vijnë në kohën kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka intensifikuar përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje.

I dërguari i tij, Steve Witkoff, u takua të martën me Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë në Oslo, ndërsa të mërkurën zhvilloi një takim me presidentin rus, Vladimir Putin.

Pas këtyre takimeve, si Kievi ashtu edhe Moska shprehën gatishmërinë për të rifilluar bisedimet e drejtpërdrejta, me ndërmjetësimin e Uashingtonit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka rënë dakord “në parim” për rifillimin e negociatave pas 10 nëntorit, bëri të ditur këshilltari i tij për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, pas takimit të zhvilluar në Shën Petersburg mes Putinit dhe të dërguarit amerikan.

Sipas Ushakovit, bisedimet do të përqendrohen në “ndërtimin e një sistemi sigurie për Rusinë dhe Ukrainën pas përfundimit të konfliktit”.

Nga ana tjetër, Zelensky ka shprehur mbështetjen për përpjekjet e Uashingtonit që negociatat të rifillojnë sa më shpejt.

“Agjenda është e qartë: t'i japim fund luftës, ta afrojmë paqen dhe, siç e kuptoj unë, të përgatisim gjithçka për një takim në nivel udhëheqësish”, deklaroi Zelensky në një mesazh audio të publikuar të mërkurën vonë.

Përfaqësuesit e tri vendeve kanë zhvilluar tri raunde negociatash gjatë fillimit të këtij viti, dy prej të cilave u mbajtën në Abu Dhabi, në janar dhe shkurt, ndërsa një tjetër takim u zhvillua në Gjenevë gjatë shkurtit.

Megjithatë, këto bisedime sollën pak përparim konkret, përveç shkëmbimit të të burgosurve të luftës, pasi Moska dhe Kievi vazhduan t'u qëndrojnë kërkesave të tyre të mëparshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat