Trump mbështet rikthimin e ish-shefit të Nvidia-s, nis fushata “Kthejeni Jensenin”

Bota

Trump mbështet rikthimin e ish-shefit të Nvidia-s, nis fushata “Kthejeni Jensenin”

Nga: A.SH Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 20:54
Donald Trump dhe Jensen Huang

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do ta kishte problem rikthimin e Jensen Huang në krye të kompanisë Nvidia, pas fushatës së nisur nga drejtues të njohur të teknologjisë për rikthimin e tij në detyrë, shkruan BBC, përcjell Bota sot.

Huang dha dorëheqje nga pozita e shefit ekzekutiv të gjigantit të inteligjencës artificiale javën e kaluar, pasi u përfshi në një skandal lidhur me dy marrëdhënie jashtëmartesore. Njëra prej tyre dyshohet se ishte me një grua të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës, ndërsa tjetra me një punonjëse të kompanisë.

Largimi i tij ka shkaktuar një krizë në Nvidia, një prej kompanive më të vlefshme në botë dhe një nga aktorët kryesorë në industrinë e inteligjencës artificiale.

Megjithatë, disa drejtues të njohur të teknologjisë, përfshirë Elon Musk të SpaceX dhe Tim Sweeney, shefin ekzekutiv të Epic Games, kanë mbështetur fushatën “Bring Jensen Back”, përmes së cilës kërkohet që bordi drejtues i Nvidia-s ta rikthejë Huangun në detyrë.

Më shumë se 175 mijë persona kanë nënshkruar një letër të hapur, ku i kërkohet bordit të rishqyrtojë largimin e tij, derisa të përfundojë hetimi i brendshëm.

Trump foli për këtë çështje të hënën, duke deklaruar se nuk do ta kishte aspak problem nëse Huang do të rikthehej në pozitën e mëparshme.

“Do të më vinte mirë ta shihja këtë”, u shpreh presidenti amerikan para gazetarëve, teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë, grupi i quajtur “Stand with Jensen”, i cili pretendon se përbëhet nga punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Nvidia-s, partnerë, aksionarë dhe mbështetës, ka shprehur shqetësimin se Huang është larguar pa një proces të mirëfilltë dhe të drejtë.

Sipas raportimeve të Financial Times, ish-shefi i Nvidia-s po diskuton me persona të afërt mundësinë e rikthimit në kompani. Megjithatë, gazeta raporton se bordi drejtues nuk po shqyrton aktualisht mundësinë e riemërimit të tij.

Përfaqësuesit e Huangut kanë refuzuar të komentojnë raportimet, ndërsa Nvidia nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare.

Fushata për rikthimin e tij synon gjithashtu të sigurojë mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë. Trump ka folur pozitivisht për Huangun që nga shpërthimi i skandalit dhe më herët ka deklaruar se e beson atë kur thotë se nuk kishte dijeni se gruaja e dyshuar ishte spiune.

Qëndrimi i Trumpit ndryshon nga ai i sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, i cili ka kërkuar që Nvidia ta zgjedhë shefin e ardhshëm ekzekutiv jashtë kompanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat